Surroi: Kosova s’ka më kohë të presë
Publicisti Veton Surroi u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE’së që të pranojnë në gjirin e saj shtete të reja pas luftës në Ballkan, me prioritet Kosovën dhe Turqinë.
Në një intervistë për “Le Monde”, Surroi ka thënë se BE-ja duhet të përdorë karotën si perspektivë të aderimit për të obliguar Kosovën dhe Serbinë që të merren vesh rreth zgjidhjes së problemit të Mitrovicës.
Pyetjes se çfarë mendon lidhur me pesë vendet e BE-së që kontestojnë ende pavarësinë e Kosovës, Surroi ka thënë se Kosova s’ka më kohë të presë.
“Nuk dua të them se ne do të hyjmë që tash në BE, por procesi i integrimeve duhet të nisë urgjent gjatë këtij viti, ku BE për të ruajtur ekuilibrin dhe ta përdorë perspektivën e aderimit si karotë për të obliguar Kosovën dhe Serbinë rreth zgjidhjes së problemit të Mitrovicës”, ka thënë Surroi.
Ai ka shtuar se fillimi i procesit të integrimit të Kosovës në BE i ndihmon demokratizimit të rajonit.
“Qëllimi nuk është për marrje të subvencioneve, por t’i takojmë familjes europiane. Ne nuk duam të jemi ndryshe nga tjerët. Shoqëria jonë është në rrugë të mbarë, ajo tashmë ka vënë në funksion institucionet demokratike dhe pret një mbështetje më të madhe nga BE për t’i krijuar kushte dhe kontribuar avancimit të proceseve demokratike”, ka thënë Surroi.