E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpjekje për ftohjen e reaktorit japonez

Nga Express më 17 mars 2011 në ora 14:27

Japonia thotë se po shton përpjekjet për të ftohur karburantin e tej-nxehur bërthamor në uzinën bërthamore Fukushima Daiichi që u godit nga cunami javën e shkuar.

Helikopterë të ushtrisë hodhën tonelata të tëra uji në përpjekje për të parandaluar shkrirjen e shufrave të karburantit bërthamor. Në operacion do të përfshihen më vonë gjatë ditës edhe pompat e ujit nga toka dhe shpresohet së shpejt të rivendoset sistemi i energjisë elektrike.

Numri i konfirmuar i viktimave të tërmetit prej gati 9 ballësh ditën e premte, që shkaktoi cunamin, është rritur në 5 000 vetë.

Policia thotë se 5 178 vetë janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 8 606 persona të tjerë janë të humbur.

Operacioni

Helikopterë CH-47 Chinook të ushtrisë japoneze filluan në orët e para të mëngjesit të hedhin tonelata uji mbi reaktorët 3 dhe 4 në Fukushima, që është rreth 220 km larg kryeqytetit Tokjo.

Helikopterët hodhën katër ngarkesa uji para se të largoheshin nga vendi i aksidentit për të minimizuar ekspozimin e ekuipazhit ndaj rrezatimit. Të mërkurën helikopterët u detyruan ta pezullojnë operacionin për shkak të shqetësimit për nivele të larta rrezatimi.

Ekspertët thonë se helikopterët mund të mbajnë sasi të mëdha uji, por për shkak të erërave të forta, është e vështirë të thuhet nëse ato hidhen saktësisht mbi reaktor.

Pamjet televizive sugjerojnë se përpjekjet e deritanishme nuk kanë qenë shumë të suksesshme dhe pjesa më e madhe e ujit ka rënë jashtë objektivit.

Ndërkohë, autobotë me ujë janë në gatishmëri për të hedhur më shumë ujë mbi reaktorët.

Operacioni synon ftohjen e reaktorëve si dhe mbushjen e rezervuarëve ku ndodhen shufrat e karburantit bërthamor.

Zyrtarët thonë se shpresojnë që më vonë gjatë ditës të rivendosin furnizimin me energji të uzinës, e cila nevojitet për sistemin e ftohjes dhe gjeneratorët ndihmës.

Kjo krizë e ka nxitur Kinën të pezullojë aprovimin e uzinave të reja bërthamore në vend si dhe të kontrollojë veprimtarinë e reaktorëve ekzistues.

Kina merr tashmë 2% të elektricitetit nga fuqia bërthamore, por po ndërton reaktorë të rinj më shumë se çdo vend tjetër. /bbc/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›