Svoboda: Raporti i Martit absurd

Eurodeputeti austriak Hanes Svoboda e ka cilësuar si të çuditshëm dhe pa substancë raportin e komisionerit Dick Marty. Në një takim me ushtruesin e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, Svoboda shfaqi një dozë kritike ndaj kolegut të tij Dick Marty në lidhje me akuzat e ngritura pa substancë si dhe për mosardhjen e tij në një takim pune që e kishte ftuar Komisioni për Punë të Jashtme. Sipas tij edhe tërheqja paksa e Dick Martit nga raporti i tij, tregon se siç duket, edhe ai e ka kuptuar se është një raport pa substancë.
Në vijim të takimit, në të cilin ishin të gjithë anëtarët e këtij Grupi Punues, por kishte edhe deputetë të tjerë, si Tarja Fajon dhe europarlamentarë të tjerë, Krasniqi bëri një prezantim të zhvillimeve në Kosovë, nga dorëheqja e Presidentit Sejdiu dhe marrja e detyrës nga ana e tij, zhvillime të cilat janë në harmoni të plotë me Kushtetutën, siç janë ushtrimi i detyrës së presidentit, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme e të tjera.
Ai gjithashtu foli lidhur me procesin e zgjedhjeve, mbarëvajtjen e këtij procesi, duke shprehur gjithashtu edhe qëndrimet e tij, të cilat i ka shprehur edhe më parë, lidhur me lëshimet të cilat janë bërë, si dhe shprehu optimizmin e tij se institucionet e pavarura të Kosovës janë duke bërë çmos që ato lëshime të përmirësohen dhe procesi të marrë një formë normale.
Duke folur rreth raportit të Dick Martyt, z.Krasniqi shprehu qëndrimin e tij dhe të institucioneve të Kosovës, se ky raport është vetëm një riciklim i hetimit që është bërë nga Tribunali i Hagës në vitin 2004 dhe që në mungesë të fakteve prokuroria nuk ka mundur të ngrejë aktakuzë.