E Diel, 1 Nëntor 2026

Swoboda: “Mjaft më me kontestime, partitë të ulen në tryezë për zgjedhjet e ardhshme”

06-06-2011 / Gazeta 55

Pas falimentimit socialist në Tiranë, vjen reagimi i parë i eurosocialistëve

Numri 2 i grupit progresiv të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, Hannes Swoboda, deklaron se partitë politike në Shqipëri duhet t’i japin fund standardit të mos njohjes së zgjedhjeve në vend, ndërsa në fokus të interesave bipartizane duhet të jenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Përmes një deklarate për shtyp për mediat shqiptare në Bruksel, Swoboda thotë se “qëndrimet partizane të partive nuk ndihmojë situatën delikate të politikes shqiptare, pas zgjedhjeve”.
Sipas tij, përballjet elektorale në vend kanë nevojë për rregulla të qarta, të cilat arrihen përmes thjeshtimeve në kod si dhe bashkëpunimit politik mes faktorëve. “Ju keni nevojë për rregulla dhe ligje të qarta. Nëse e komplikojmë sistemin me fletë që duhen hedhur në shumë kuti, sigurisht që do të ketë probleme të tilla. Për këtë, unë dua të sugjeroj që në Shqipëri të organizohen zgjedhje me procedurë sa më të thjeshtë, me sistem zgjedhor të thjeshtë, me rregulla të qarta. Sepse nuk është mirë që të gjitha zgjedhjet në Shqipëri janë kontestuar. Një situatë e tillë bën që vendi të mos përparojë dhe të ecë drejt së ardhmes”, shprehet Swoboda, duke vënë theksin se një bashkëpunim mes PD-së dhe PS-së mund të sjellin rregullime procedurale për përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare pas 2 viteve.
Ai konstaton se kjo mund të zgjidhet duke u ulur palët në tryezën e dialogut politik.
“Ne duhet të veprojmë në mënyrë legale, ligjore. Pas kësaj, duhet të punojmë për të arritur në një marrëveshje politike për kapërcimin e krizës, sepse situata vazhdon të jetë e paqëndrueshme. Unë mendoj se është e nevojshme që drejtuesit e dy partive të mëdha të bien dakord për të gjetur një zgjidhje politike. Shqipëria të mos ketë me krizë, që vendi të mund të bëjë hapa përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian”, thotë ai.
Hannes Swoboda i bashkohet zërave ndërkombëtarë për t’ia lënë fjalën e fundit Kolegjit Zgjedhor. Si çdo zyrtar i lartë i komunitetit ndërkombëtar, shprehja e Kolegjit Zgjedhor është vendim i formës së prerë dhe si i tillë palët politike duhet të respektojnë vullnetin e qytetarëve votues.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›