E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranët e sportit kavajas: “Të shkarkohet Elvis (Ervin) Rroshi”

06-06-2011 / Gazeta 55

Vijon firmosja e peticionit për të çliruar bashkinë e Kavajës nga uzurpatorë që s’kanë lidhje me bindjen e moralin e qytetit

Pas apelit të intelektualëve kavajas për shkarkimin e kryetarit të ri të Bashkisë së Kavajës Elvis (Ervin) Rroshi, kanë reaguar me një deklaratë edhe veteranët e sportit të Kavajës. Veteranët që i dhanë tone ndër vite futbollit kavajas, me ngjyrat e ekipit të “Besës” dhe atij kombëtar, në deklaratën e nënshkruar pohojnë se asnjëherë qyteti i Kavajës nuk ka pasur përfaqësimin më të pamerituar se sa sot.
Ata shprehen se loja e fundit e përdorur në adresë të gruas së Elvis (Ervin) Rroshit, ishte një veprim i ulët që nuk mund të falet kurrsesi. Të prekur nga fyerja e emrit të qytetit të tyre, nëpër mediat e majta, gjithë këto ditë, me histori të sajuara nga njerëz me emra të ndërruara disa herë, veteranët kavajas shprehen se janë tejet të indinjuar nga kjo keqpërdorje.
Në deklaratë thuhet se askush nuk mund të nëpërkëmbë emrin e qytetit që aq shumë i ka dhënë demokracisë shqiptare në këto 20 vite, por edhe më parë gjatë komunizmit, kur ishte ndër qytetet në krye të qëndresës antikomuniste.
Veteranët e sportit në deklaratën e tyre dyfaqëshe, pohojnë se do të kërkojnë shkarkimin e individëve me disa identitete, cilët do qofshin ato.
“I bëjmë thirrje organeve shtetërore të shikojnë seriozisht rastin në fjalë. Jo vetëm për të ndaluar persona që deshën të bënin shembull të keq Kavajën me ngjarjen e fundit të ‘dështimit’ (në fakt të tyren), por edhe me marrjen e masave administrative ndaj atyre që u përdorën në një rast të tillë. Personat me disa emra, e me disa mbiemra, të lyer apo të ngjyer me të bardhë apo me të kuqe, të liruar me kushte apo pa kushte, me organe periferish apo qendre, me ndërhyrje deputetësh të djeshëm apo jo, nuk do të mundin asnjëherë ta bëjnë të kuqe Kavajën, e cila do jetë gjithmonë blu”, përfundon deklarata e nënshkruar nga veteranët e sportit të Kavajës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›