“Sy m’sy”, Rama: Rrisim pagat e mësuesve, shtojmë disiplinat sportive nëpër shkolla

Nëpërmjet rubrikës “Sy m’sy”, ku u kthen përgjigje ndjekësve të tij në rrjetin social Facebook, kryeministri, Edi Rama deklaroi se në mandatin e katërt paga mesatare e mësuesit do të shkojë 1250 euro, ndërsa shtoi se do të vijojnë investimet në infrastrukturën arsimore.
“Kur ne morëm detyrën kishte mbështetje thuajse zero. Shkollat ishin në gjendje të keqe dhe të gjithë prindërit ishin të detyruar të blinin vet librat për fëmijët e tyre. Ndërsa sot 238 mijë nxënës i marrin librat falas. E ti thua nuk ka fëmijë. Paga mesatare e mësuesit sot është dyfishuar krahasuar me kohën kur ne morëm detyrën ishte 420 euro sot është 950 euro dhe brenda mandatit tonë të katërt do të jetë 1250”, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë, bëri të ditur se edhe në 4 vitet e ardhshme do të ndërtohen edhe 200 shkolla të reja, ndërsa numri i laboratorëve inteligjentë do të shkojë në 1 mijë.
“Deri në fund të mandatit të ardhshëm 430 shkollave të reja që kemi ndërtuar do t’u shtohen edhe 200 të tjera. Kur ne morëm detyrën nuk kishte laboratorë, nuk bëhej fjalë, kishte klasa me kompjuterë që nuk ndizeshin. Sot kemi laboratorë inteligjentë në 340 shkolla dhe brenda mandatit të katërt numri i laboratorëve inteligjentë do të jetë 1 mijë, që do të thotë që asnjë nxënës nuk do të mbetet pa akses në mësimin e teknologjisë digjitale në të gjithë territorin e vendit”, tha Rama.
Rama theksoi se gjatë mandatit të katërt synon shtimin e disiplinave të tjera sportive në shkolla.
“Kur ne morëm detyrën palestrat numëroheshin me gishtat e duarve. Ishin akoma ato të kohës së vjetër të komunizmit, sepse nuk ishte ndërtuar një palestër e re. Sot kemi mbi 200 palestra të reja në shkolla dhe kemi një lëvizje të tërë në shkolla, e cila ka përfshirë mbi 12 mijë fëmijë dhe ka rilindur frymën e sportit te brezi më i ri. Do të shtojmë edhe disiplina të tjera sportive nëpër shkolla dhe synojmë ta çojmë në 20 mijë të paktën, numrin e nxënësve të angazhuar në një sport”, tha ai.
Ndër të tjera, Rama nënvizoi edhe ngritjen e një shoqërie publike e transportit të nxënësve.
/rtsh.a/