Synimet serbe dhe ngecja kosovare
Një delegacion i lartë serb me në krye presidentin Tadiq, kryeministrin Cvetkoviq, ministrin e Jashtëm, Jeremiq, Zëvendëskryeministrin përgjegjës për Integrime Europine, Gjeliq dhe zyrtarët e tjerë serbë po qëndrojnë në Bruksel. Është kjo dalja e parë serbe në Bruksel dhe kryeqytete europiane (Jeremiqi do të takohet edhe me Kryesuesin e BE-së, Bernard Kouchnerin, për të vazhduar më pas sot me vizitën në Berlin tek homologu i tij gjerman, Frank Walter Steinmeier).
Vizita serbe në Bruksel nuk vjen krejt papritmas.
Katrahura kaukaziane dëshmoi që rusët serbëve edhe njëherë u treguan që nuk u ka mbetur aq shumë tek vëllezërit sllavë sa tek kthimi në lojërat e mëdha globale. Por pas qëndrimit unik (më në fund unik!) të BE-së për sakatosjen e Gjeorgjisë, dhe sidomos pas haraçit që quhet Karaxhiq si dhe kthimit të ambasadorëve serbë (edhe) në vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, serbët duan që të përshpejtojnë procesin e avitjes së strukturave të këtij vendi drejt BE-së. Dhe që të jemi gjakftohtë dhe realistë: në suksesin e këtij synimi serb nuk duhet të dyshojë askush. Sepse Qeveria e re atje vetes i ka vënë synimin që të punojë me përshpejtim drejt integrimeve europiane, të thithë të gjitha
fondet e mundshme dhe të pamundshme për përmirësimin logjistik dhe, para së gjithash, reformat e nevojshme në fitimin e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE qysh në fillim të vitit të ardhshëm. Nuk duhet nënçmuar as përpjekjet e kësaj qeverie dhe Tadiqit që të kapet (edhe) Mlladiqi po aq sa nuk do të duhej të dyshonim që politika ndaj Kosovës nuk do të lëvizë as për edhe një milimetër.
Dhe kjo Kosova që tashti po e shohim por edhe përjetojmë çdo ditë dhe sidomos çdo mbrëmje në lajmet qendrore, do të vazhdojë edhe më të zhytet nëpër honet e territ (faktik dhe politik). Duke bërë politikë përmes intervistave (gazetave arabe a radio korrespondentëve kosovaro-ndërkombëtarë), do të na vizitojnë ministra Shëndetësie
shqiptarë, do ta bindim opinionin nga (ku tjetër se!) Tirana që nuk ka ngecje në njohje, do të shpërndajmë lule e libra në shtator, aty-këtu do ta hapim edhe ndonjë zyrë të re, shkollë a asfalt... Të gjitha këto do t’i bëjmë dhe do të presim. Që të tjerët të na i kryejnë punët sepse “obligimet” tona edhe ashtu po i përmbushim. Duke u munduar që me televizor e gazeta të hapim vende të reja pune por edhe ngrehim investime në vendin më të varfër të Europës me GDP-në, e cila nuk e kalon mesataren e vendeve të Afrikës!
Këtu qëndron edhe problemi kryesor. Kosovarët dalëngadalë, por të sigurt, po fillojnë ta kuptojnë që nga premtimet e qeveritarëve aktualë nuk ka asgjë. Ose thënë edhe më ndryshe, spotet premtuese me shirita e projektora gjatë fushatës elektorale janë zgjeruar në filma e repriza më të gjata dhe për këtë edhe më monotone, më të padurueshme.
Kriminaliteti ekonomik vazhdon të jetë i njëjti vetëm se tashti është më i perfeksionuar, më i centralizuar. Politika e jashtme vazhdon të jetë një gjë aq e brendshme saqë nuk na çudit që stacioni i parë dhe i fundit i qeveritarëve kosovarë është Tirana - edhe ashtu e lodhur dhe
gjithmonë e rrezikshme ndaj vetvetes. Pra, stadi që quhej “Shpresa” në “qeverisjen e mirë” në kapërcyellin e pavarësisë është shndërruar tashmë “pritje” dhe pas pritjeve të mëdha dihet çka pason: dëshpërimi i madh dhe vetmia e madhe.
Si askush tjetër, kësaj vetmie dhe vetizolimi nuk po i kontribuon më tepër sesa sjellja në rrethin vicioz të (paaftësisë së) qeveritarëve kosovarë. Nëse dikush mendon që televizori dhe gazetat me promot e pozave të përditshme të shefave mund të të japin punë, investime dhe mirëqenie atëherë mashtrohen keqas dhe lehtësisht. Sepse në pah del jo vetëm shkurtpamësia por edhe mungesa e asaj që quhet thellësi në qeverisje e mungesë vizioni për të ardhmen e një vendi.
Prandaj duhen parë me frikë synimet serbe kundruall ngecjeve kosovare. Jo pse Serbia do të na rikthehet sërish me tanke e ushtarë. Por sepse qeveritarët dhe kryeqeveritarët po mendojnë që duke na ofruar lajme superoptimiste lulesh e librash, së pari, po e mashtrojnë vetveten, së dyti, po na e bëjnë jetën jo edhe aq të lehtë dhe, së treti, po na lënë në duart e praktikantëve e praktikanteve euro-amerikanë të katër a pesë misioneve ndërkombëtare që në Kosovë vijnë për paga e pak karrierë - mundësisht gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj.
Ky sistem vlerash virtuale (kosovare) është lehtësisht i kapshëm dhe thellësisht i paqëndrueshëm. Secili do jetë shkaku a shkasi që ai do të shkatërrohet ende nuk e dinë. Por që kjo gjë do ngjajë shumë shpejt - në këtë mos dyshoni. Dhe ky shkatërrim do t’i ngjajë rrënimit të asaj piramidës së letrës. Prandaj: shtrëngoni rripat sepse avioni kosovar do ketë turbulenca goxha të mëdha. Derisa ai serb do të ulet, ndërkohë, në Bruksel.