E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sytë kah FIFA

Federata e Futbollit e Kosovës dhe Ministria e Sportit me padurim po e presin mbledhjen e 27 dhe 28 shtatorit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Të dyja këto institucione besojnë se FIFA do ta mbajë premtimin që në fund të këtij muaji ta jetësojë vendimin e vet, që Kosovën përfundimisht do ta lejojë të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe Ministria e Sportit me padurim po e presin 27 dhe 28 shtatorin, kur do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.

Kjo për shkak se të dyja këto institucione besojnë se në këtë mbledhje ky organ i FIFA-s përfundimisht do t’i zgjedhë modalitetet në bazë të të cilave përfaqësuesja e Kosovës do të ketë të drejtë të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Siç dihet, në majin e këtij viti, presidenti i futbollit botëror, Sepp Blatter, me bashkëpunëtorët e ngushtë të tij e lejuan Kosovën të luajë miqësore.

Por, hezitimi i UEFA-s për ta mbështetur atë vendim dhe kundërshtimi i ashpër i Serbisë ka bërë që jetësimi i tij të shtyhet deri në fund të shtatorit.

Në FFK tashmë janë më se të bindur se shtyrje tjetër nuk do të ketë dhe se prej 27 e 28 shtatorit Kosova do të ketë të drejtë të luajë kur të dojë dhe me kë të dojë.

“Në fund të këtij muaji mbahet mbledhja. Prandaj, presim që FIFA të dalë me një, ta quaj ashtu, modalitet. Ne e dimë se çfarë tendencash ekzistojnë, do të thotë që të minimizohet kjo. Por, në të vërtetë, edhe opinioni i Michel Platinit duket se është zbutur pak. Megjithatë, ne nuk presim aq shumë gjëra pozitive nga UEFA, por besoj se në këtë rast dhe në këtë moment qëndrimi i Blatterit është decidiv dhe është vendimtar. Besoj se këtë herë do të bëhet diçka. Unë kësaj here jam optimist”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Optimizmi nuk mungon as në Ministrinë e Sportit, që udhëhiqet nga Memli Krasniqi. “Së bashku me FFK-në po mundohemi që të gjejmë rrugëzgjidhje që futbollistët kosovarë përfundimisht t’i thyejnë këto barriera, qoftë edhe duke zhvilluar lojëra miqësore. Ne presim që në fund të muajit të merret një vendim pozitiv për t’ia lejuar reprezentacionet e Kosovës që të luajë me shtetet tjera”, thotë këshilltari i ministrit, Malsor Gjonbalaj, i cili ka kujtuar se ky dikaster qeveritar tashmë ka filluar të merret me përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve të Kosovës, që janë në gjendje të rënduar.

E ky fakt po e shqetëson edhe FFK-në, e cila frikësohet se mund të mos luajë fare në Kosovë me reprezentacionin kosovar edhe nëse marrin leje nga FIFA.

“Ne si Federatë nuk mund të ndërtojmë stadiume. Për fat të keq, që 30 apo 40 vjet nuk është investuar në këtë drejtim”, thotë Salihu.

“Nuk është me rëndësi tash se ku do t’i zhvillojmë ndeshjet, sepse ajo vjen si kusht i veçantë, por me rëndësi është që të fitohet leja për t’u përfaqësuar si reprezentacion, si përfaqësuese e Kosovës. Ndërsa për të tjerat besoj se do të gjejmë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga Qeveria e më poshtë”, vazhdoi ai.

Ndryshe, FIFA e pati bërë të qartë se vendimi për ta lejuar Kosovën të zhvillojë miqësore ndërkombëtare nuk nënkupton anëtarësim të FFK-së në këtë organizatë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›