E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria s’ka frikë nga Kosova

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) vazhdimisht po bën përpjekje të mëdha që sa më shpejt të anëtarësohet në UEFA e FIFA. Madje, krerët e saj janë optimistë se këtë qëllim do ta arrijnë në një të ardhme jo fort të largët.

Kësi optimizmi ekziston edhe te selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, i cili para pak ditësh në një prononcim për Express shprehu bindjen e tij se shteti i ri do të jetë pjesëmarrës në kualifikimet për kampionatin evropian ‘Franca 2016’.

Madje, ai theksoi se atëherë në skuadrën e tij do t’i ftojë të gjithë ata futbollistë që do të ketë nevojë për ta që me prejardhje janë nga Kosova, pavarësisht se për cilat shtete aktualisht luajnë ata, duke mos i përjashtuar as nëntë kosovarët e Kombëtares së Shqipërisë e lëre më ata të Zvicrës e vendeve tjera.

Por, në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) janë të bindur se Kosova nuk do t’ia marrë Shqipërisë asnjërin nga futbollistët e saj.

“Kosova në Evropë ka të paktën 500 lojtarë më të mirë se këta që kemi inkuadruar ne në ekipet tona kombëtare, andaj sigurt që nuk do të kenë nevojë për futbollistët që aktualisht luajnë në ekipet tona të Shqipërisë. Kosova ka mundësi reale për të pasur në organikën e saj gjithë këta lojtarë si: Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, etj”, ka thënë për Panorama Sport menaxheri i FSHF-së, Redi Jupi, duke i uruar Kosovës anëtarësim sa më të shpejt në FIFA e UEFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›