E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chelsea e nis misionin e konfirmimit

Kampioni i Evropës, Chelsea, do ta nisë aventurën për mbrojtjen e titullit ndaj kampionit italian, Juventus. Menaxheri i klubit nga Londra, Roberto di Matteo, është i vetëdijshëm se mbrojtja e titullit do të jetë një mision i vështirë, ndërsa përmend faktin se ekipet tjera do të kenë motiv shtesë kur të luajnë me skuadrën e tij. Në anën tjetër, sulmuesi juventin Mirko Vucinic insiston se Bianconerët do t’i kërkojnë tri pikë në Stamford Bridge.

Pa dyshim, përballja kryesore e së mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve do të jetë ajo ndërmjet kampionit aktual të Evropës, Chelsea dhe kampionit italian, Juventus.

Të dyja klubet ishin takuar dy herë në të kaluarën. Kjo kishte ndodhur në sezonin 2008/09, kur Chelsea kishte shënuar fitore dhe kishte nxjerrë barazim.

Blues do të jenë pa sulmuesin kryesor Didier Drogba, që u largua gjatë verës, por ata e pasuruan ekipin me mesfushorin belg Eden Hazard. Në anën tjetër, edhe Bianconerët mbetën pa legjendën e larguar Alessandro del Piero, por do të llogarisin në malazezin Mirko Vucinic.

Menaxheri i klubit nga Stamford Bridge, Roberto di Matteo, është i vetëdijshëm që këtë edicion e pret një punë e vështirë, pasi që deri tash asnjë ekip nuk ka arritur ta mbrojë titullin kampion të kontinentit të vjetër.

“Çdo kundërshtar do të luajë me motiv ekstra ndaj fituesit të Championsit. Prandaj, kjo na e vështirëson punën”, thotë trajneri italian, i cili në kohën kur kishte luajtur për Kombëtaren italiane, shok skuadre kishte portierin aktual të Juves, Gianluigi Buffon.

“Jam i vetëdijshëm se asnjë ekip nuk e ka mbrojtur trofeun dhe nuk jam i befasuar, sepse është një garë e vështirë për t’u fituar. Ta fitosh dy herë radhazi është vërtetuar se është e pamundur, sepse është mjaft konkurrues”, deklaroi Di Matteo.

Në anën tjetër, trajneri i Bianconerëve, Antonio Conte, është i suspenduar për 10 muaj dhe do ta shikojë ndeshjen nga bankina.

Ai do të kontrollohet vazhdimisht nga UEFA për ta evituar komunikimin me bankinën gjatë ndeshjeve të Ligës së Kampionëve. Ekipi torinez do të udhëhiqet nga Massimo Carrera, i cili e nisi me sukses sezonin në Serie A duke regjistruar tri fitore nga po aq ndeshje.

Sulmuesi Vucinic insiston se Juventusi nuk ka frikë nga Chelsea, përkundër faktit se klubi anglez kishte shënuar 6 fitore nga po aq ndeshje në shtëpi në Champions sezonin e kaluar.

“Ky nuk është Chelsea i njëjtë me sezonin e kaluar, sepse javëve të fundit ka dështuar në ndeshje të ndryshme dhe kjo i ngrit mundësitë tona për të mërkurën. Ne nuk do të luajmë kurrë për barazim. Sfidë e jona është që t’i fitojmë të tria pikët. Jemi ekipi më i mirë në Itali dhe kjo është një arsye që lojtarët të kenë krenari”, tha ish futbollisti i Romës. Herën e fundit kur pati punë me klube angleze, Juventusi kishte humbur nga Fulhami në Europa League me rezultat 4:1.

Në Grupin F, nënkampioni i Evropës do ta nisë eksperiencën këtë edicion me duelin në shtëpi ndaj Valencias, kurse gjiganti katalunas Barcelona do të jetë mikpritës i ekipit rus Spartak Moskë.

Në fund, në grupin H, ndeshje mjaft interesante pritet të zhvillohet ndërmjet Manchester Unitedit dhe Galatasarayt.

Liga e Kampionëve:

E mërkurë

Grupi E

Chelsea – Juventus 20:45

Shakhtar D. – Nordsjaelland 20:45

Grupi F

Bayern Munich – Valencia 20:45

Lille – BATE Borisov 20:45

Grupi G

Barcelona – Spartak Moscow 20:45

Celtic – Benfica 20:45

Grupi H

Braga – CFR Cluj 20:45

Man United – Galatasaray 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›