E Diel, 1 Nëntor 2026

TAJLANDË – 33 të vdekur pas përmbytjeve katastrofike

BANGKOK, 26 nëntor /ATSH-AFP/ – Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në jug te Tajlandës kanë shkaktuar të paktën 33 viktima, njoftoi sot qeveria.

“Autoritetet raportojnë se 33 persona kanë vdekur në shtatë provinca si shkak i përmbytjeve të papritura, goditjeve elektrike dhe mbytjes”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Siripong Angkasakulkiat.

“Nivelet e ujit pritet të ulen në jug të vendit”, shtoi ai.

Qeveria shpalli gjendje të jashtëzakonshme në provincën jugore të Songkhla një ditë më parë, pasi departamenti meteorologjik parashikoi më shumë reshje shiu këtë javë.

Që nga e enjtja, më shumë se 1 200 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në rajon, sipas departamentit të marrëdhënieve me publikun.

Imazhet e transmetuara nga televizionet lokale ditët e fundit treguan ekipet e shpëtimit në Hat Yai duke evakuuar banorët me ndihmën e varkave, motorëve te ujit dhe kamionëve ushtarakë, me nivelin e ujit që po rritej.

Tajlanda përjeton rregullisht reshje të dendura nga qershori deri në shtator, dhe shkencëtarët shpjegojnë se ngrohja globale e shkaktuar nga veprimtaria njerëzore i bën fenomenet meteorologjike më të shpeshta, më vdekjeprurëse dhe më shkatërrimtare.

”Për çdo gradë celsius shtesë, atmosfera mund të mbajë 7% më shumë lagështi, duke rezultuar në reshje më të dendura shiu”, paralajmërojnë ekspertët./ /f.k/  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›