Elbasani "injoroi" Kupën për kampionatin
Surpriza e vetme e ditës së djeshme të ndeshjeve të kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë ishte pikërisht Kamza. Skuadra e qytezës së vogël pranë Tiranës, ka eliminuar Elbasanin nga kompeticioni i dytë për nga prestigji i kampionatit shqiptar. Vendimtar në këtë përballje rezultoi ndeshja e parë e luajtur në Kamzë më 21 tetor 2009, ku vendasit fituan 2-1. Në atë të kthimit, të zhvilluar dje në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta", të dy skuadrat nuk mundën të shkonin më tej se një barazim 0-0, i cili i dha mundësinë Kamzës të kualifikohet për në turin e dytë. Por më shumë sesa një meritë e Kamzës, tashmë është mësuar nga burime brenda klubit të Elbasanit, se kanë qenë vetë drejtuesit e lartë të kësaj skuadre, ata që nuk e kanë parë të arsyeshme shpenzimin e fuqive, në një kompeticion ku janë thuajse të sigurt se nuk mund të shkojnë shumë larg. Prandaj ata kanë zgjedhur strategjinë e moskonsumimit në Kupën e Shqipërisë, për t‘i kushtuar vëmendjen maksimale kampionatit të Kategorisë së Parë, ku objektivi i domosdoshëm për t‘u arritur është ngjitja në Kategorinë Superiore. Skuadra e drejtuar nga trajneri Muharrem Dosti pozicionohet e dyta në klasifikim me 20 pikë, një më pak se Bylisi kryesues, por këtë fundjavë përgatiten për një ndeshje të vështirë ndaj Partizanit në "Ruzhdi Bizhuta".
A. Manallari
A. Manallari