E Diel, 1 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani paraqet një propozim të ri mes bllokimit të bisedimeve me SHBA-në

TEHERAN, 1 maj /ATSH-DPA/ – Irani ka paraqitur sot një propozim të ri për rifillimin e bisedimeve të paqes me Shtetet e Bashkuara përmes Pakistanit, ndërsa negociatat mbeten të bllokuara pavarësisht një armëpushimi disa-javor.

Propozimi iu dorëzua Islamabadit  ndërkohë që vetëm një raund i dështuar bisedimesh direkte është zhvilluar deri tani.

Konflikti, i nisur më 28 shkurt nga SHBA-ja dhe Izraeli me sulme të befasishme, është pezulluar që prej 8 prillit.

Megjithatë, tensionet mbeten të larta pasi Irani vazhdon të mbajë të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke ndërprerë furnizimet globale me naftë dhe gaz, ndërsa SHBA-ja ka vendosur kundërbllokadë ndaj porteve iraniane.

Pavarësisht armëpushimit, tregjet ndërkombëtare mbeten të paqëndrueshme, me çmimet e naftës mbi 50% më të larta se para luftës.

Raportohet se presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se bllokada mund të zgjasë me muaj, duke shtuar presionin ekonomik dhe inflacionin.

Në Uashington është hapur debat mbi kompetencat e presidentit për luftë, ndërsa administrata argumenton se armëpushimi ka pezulluar afatin ligjor për miratimin nga Kongresi.

Presidenti Trump përballet me presion politik të brendshëm, në një kohë kur ekonomia tregon shenja dobësimi dhe inflacioni ka arritur në 3.5%.

Ndërkohë, ekonomia iraniane po përkeqësohet ndjeshëm, me inflacion që ka arritur mbi 53% dhe vështirësi të mëdha për qytetarët në përballimin e kostove të jetesës. Paralelisht, SHBA-ja dhe aleatët evropianë po shqyrtojnë iniciativa të ndara për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e qarkullimit detar. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›