TEHERAN – Irani skeptik për seriozitetin e SHBA-së në lidhje me bisedimet bërthamore

BERLIN, 2 maj /ATSH-DPA/- Teherani hodhi poshtë sot të gjitha kërcënimet dhe presionet në lidhje me bisedimet e vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi programin e saj bërthamor, një ditë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi sanksione të reja për çdo vend që do të blinte naftë nga Irani.
“Republika Islamike e Iranit rikonfirmon angazhimin e saj në rrugën diplomatike dhe deklaron gatishmërinë e saj për të vazhduar negociatat”, tha Ministria e Jashtme në Teheran në një deklaratë.
“Në të njëjtën kohë, ajo hedh poshtë me forcë të gjitha qasjet e bazuara në kërcënime dhe presion”, shtoi ajo.
Ministria shprehu kritika për një raund të ri sanksionesh të vendosura nga SHBA-ja dhe vuri në dyshim seriozitetin e SHBA-së në ndjekjen e bisedimeve, të cilat fillimisht ishin planifikuar të vazhdonin të shtunën, në Romë.
Omani, i cili vepron si ndërmjetës, tha dje se raundi i katërt i bisedimeve ishte shtyrë pa caktuar një datë të re.
SHBA-ja ka vendosur më herët sanksione ndaj një numri kompanish me seli në Iran, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i akuzuar ato se po ndihmonin Iranin të shmangte sanksionet për shitjen e naftës së tij.
Dje në mbrëmje, Trump njoftoi sanksione të menjëhershme dytësore ndaj të gjithë blerësve të naftës iraniane, duke thënë se ata nuk do të lejoheshin të bënin biznes me SHBA-në në asnjë mënyrë apo formë.
Ky veprim do të godasë biznesin me Kinën, e cila shihet si blerësja më e madhe e naftës iraniane. //a.i/