TEHERAN – Të shtëna me armë zjarri ndërsa forcat iraniane ndalojnë një anije cisternë në Ngushticën e Hormuzit

TEHERAN, 18 prill /ATSH-DPA/- Një shkëmbim zjarri thuhet se ka ndodhur në Ngushticën e Hormuzit midis Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit dhe anijeve tregtare indiane pas mbylljes së përsëritur të rrugës ujore.
Njësitë iraniane larguan me forcë dy anije, përfshirë një supercisternën VLCC që transportonte dy milionë fuçi (afërsisht 272,000 ton) naftë bruto irakiane, raportoi “TankerTrackers.com”.
Duke cituar kapitenin e anijes, Organizata e Marinës Tregtare e Britanisë së Madhe (UKMTO) tha në X se dy motoskafe të IRGC-së, iu afruan një anijeje cisterne dhe hapën zjarr. Asnjë anëtar i ekuipazhit nuk u plagos dhe nuk u raportuan dëme materiale.
Incidenti vjen pas rihapjes njëditore të rrugës së ngushtë ujore. IRGC-ja e fuqishme kishte kërcënuar me pasoja nëse mbyllja nuk do të merrej parasysh.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm në ngushticë që nga fillimi i luftës me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 28 shkurt.
Rreth të njëjtës kohë kur Teherani njoftoi se do ta mbyllte sërish ngushticën, Ministria e Naftës e Irakut tha se do të rifillonte eksportet e naftës në ditët në vijim.
“Ne kemi kontaktuar me anije cisternash dhe kompani të mëdha për të rregulluar eksportet e naftës, dhe dera është e hapur për të gjitha kompanitë”, deklaroi ministria, sipas një raporti të agjencisë shtetërore irakiane të lajmeve INA.
Sipas selisë ushtarake të Iranit, arsyeja për mbylljen e fundit është bllokada e vazhdueshme detare amerikane e porteve iraniane. //a.i/