TEL AVIV – Autoriteti Palestinez dhe Hamasi kundërshtojnë planet e Trump për të zhvendosur banorët e Gazës

TEL AVIV, 5 shkurt /ATSH-DPA-AA/ – Autoriteti Palestinez ka kundërshtuar kategorikisht propozimin e presidentit të SHBA, Donald Trump, për të zhvendosur banorët e Rripit të Gazës.
“Udhëheqja palestineze pohon qëndrimin e saj të vendosur se zgjidhja me dy shtete është garancia e sigurisë, stabilitetit dhe paqes, në përputhje me legjitimitetin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare”, shkroi sot në X Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OPÇ), Hussein al-Sheikh.
Zgjidhja me dy shtete parashikon që Izraeli dhe një shtet palestinez të bashkëjetojnë si shtete të pavarura.
”Udhëheqja palestineze pohon kundërshtimin e saj të të gjitha thirrjeve për zhvendosjen e popullit palestinez nga atdheu i tyre”, shtoi al-Sheikh.
“Ne kemi lindur këtu, kemi jetuar këtu dhe do të mbetemi këtu”, tha ai.
Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara “do të marrin përsipër Rripin e Gazës” dhe se rreth dy milionë palestinezët që jetojnë në territor duhet të zhvendosen në shtete të tjera.
Edhe grupi palestinez Hamas tha se populli palestinez nuk do të lejojë zbatimin e planeve të presidentit amerikan, Donald Trump për të dëbuar palestinezët nga Rripi i Gazës, sipas AA.
Duke refuzuar komentet e Trumpit, i cili tha se banorët e Gazës “nuk kanë zgjidhje tjetër përpos se të largohen”, udhëheqësi i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, tha se ”deklarata të tilla janë recetë për krijimin e kaosit dhe tensionit në rajon”.
“Populli ynë në Rripin e Gazës nuk do të lejojë që këto plane të realizohen”, tha Abu Zuhri duke shtuar se “ajo që nevojitet është t’i jepet fund okupimit dhe agresionit (izraelit) kundër popullit tonë dhe jo dëbimit të tij”./ /i.s/