ANALIZË – Pesë pengesat me të cilat përballet plani i presidentit Trump për Gazën

PARIS, 5 shkurt /ATSH-AFP/ – Planet e presidentit amerikan, Donald Trump për marrjen e Gazës nga SHBA dhe zhvendosjen e palestinezëve që jetojnë atje, janë aktualisht një fantazi mjaft e parealizueshme, pasi ato kanë ngritur një ortek kundërshtish.
Ato të kujtojnë ide të tjera të nisura nga presidenti amerikan që nga betimi i tij: ndër të tjera, aneksimin e Kanalit të Panamasë dhe Groenlandës, bërjen e Kanadasë shtetin e 51-të amerikan ose dërgimin e “kriminelëve të rrezikshëm” në Salvador.
Ashtu si të tjerat të sipërcituara, propozimi i tij për Gazën përballet me një mori pengesash.
1 – Rrënjët palestineze në Gaza
Projekti i kushton pak vëmendje lidhjes së palestinezëve me tokën e tyre, siç tregohet nga kthimi në Rripin verior të Gazës, menjëherë pas armëpushimit, të gjysmë milioni njerëzve të zhvendosur nga lufta midis Izraelit dhe Hamasit.
Dhe kjo është e vërtetë edhe nëse zona është bërë pluhur e hi.
“Kjo është dita më e mirë e jetës sime”, tha Lamiss al-Iwady, 22 vjeç, ndërsa mbërriti në shtëpi.
”Ne do të rindërtojmë shtëpitë tona, edhe nëse janë me baltë dhe rërë”, shtoi ai.
Ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour dha mesazhin të martën se “atdheu ynë është atdheu ynë”.
Dhe për ta futur Donald Trumpin në grackë, ai shtoi se “për ata që duan të dërgojnë (palestinezët) në një vend të lumtur dhe të këndshëm, le të kthehen në shtëpitë e tyre origjinale në Izrael, pasi atje ka vende të bukura”.
2 – Kundërshtimi i vendeve arabe
Ndryshe nga sa sugjeron Donald Trump, shtetet arabe janë kundër këtij projekti. Ministrat e Jashtëm të Egjiptit, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite dhe Katarit hodhën poshtë të shtunën çdo “sulm ndaj të drejtave të patjetërsueshme” të palestinezëve”.
Kajro shkoi më tej sot duke bërë thirrje për një rindërtim të shpejtë të Gazës, pa zhvendosur banorët e saj.
Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas udhëton sot për në Jordani për të takuar mbretin Abdullah II. Një shenjë kjo e shqetësimit të vërtetë.
E njëjta protestë është e parashikueshme në opinionin publik.
”Prisni që reagimet të variojnë nga konfuzioni në zemërim duke përfshirë protesta në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë në ditët në vijim”, paralajmëron Emily Harding nga grupi i ekspertëve CSIS në Uashington.
3 – Historia amerikane
Projekti i nisur të martën nga Donald Trump do të përfshinte dërgimin e ushtarëve amerikanë në Gaza. Kjo është një shkelje e parë e premtimeve të tij të fushatës.
Kundërshtimi i ashpër i Hamasit është fakt. Edhe pse e dobësuar shumë nga 15 muaj luftë, lëvizja islamike palestineze nuk është çrrënjosur, në kundërshtim me objektivin e vendosur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Hamasi dhe aleati i tij, Xhihadi Islamik, mund të zhvillojnë një luftë të dhunshme guerrile që asnjë fuqi nuk e ka fituar kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Dhe disfatat historike në të cilat Shtetet e Bashkuara u zhytën me radhë në Vietnam, Afganistan dhe Irak janë rrënjosur thellë në kujtesën amerikane.
4 – E drejta ndërkombëtare
Donald Trump po thyen disa tabu të së drejtës ndërkombëtare të trashëguara nga periudha e pasluftës, të cilën Uashingtoni e ka mbrojtur në dekadat e fundit, të paktën në fjalime.
”Shtetet e Bashkuara mund të marrin kontrollin e Gazës vetëm me pëlqimin e Izraelit, i cili nuk mund t’ia dorëzojë Gazën Shteteve të Bashkuara”, vëren Tamer Morris, një ekspert i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Sidnejit në Australi.
Edhe “një qeveri, siç është Autoriteti Palestinez, nuk mund ta japë këtë pëlqim në emër të një populli”, shton ai.
”Vetë fjalimi është i rrezikshëm”, thotë ai.
“Mënyra e rastësishme se si Trump diskuton gjëra të tilla si marrja e territorit dhe lëvizja e njerëzve e bën të duket sikur këto rregulla mund të thyhen lehtësisht”, shton Morris.
OKB-ja kujtoi sot se ”ligji ndërkombëtar ndalon rreptësisht çdo transferim ose dëbim të detyruar të një popullsie nga një territor i pushtuar”.
5 – Kujdesi në Izrael
Klasa politike izraelite qëndroi e kujdesshme sot, me përjashtim të mbështetësve të Netanyahut.
“E djathta ekstreme është në ekstazë”, vëren David Khalfa, autor i librit ”Izrael-Palestinë, Viti Zero”.
“Elementët më të moderuar të parlamentit përgëzojnë Trumpin, por shprehin dyshime për realizueshmërinë e planit të tij”, vëren ai.
Sa i përket liderit të opozitës Yair Lapid, ai thotë në thelb se ”izraelitët nuk mund të presin që amerikanët të dalin me plane për t’i dhënë fund krizës”.
Që do të thotë, sipas studiuesit, “se ai beson se plani Trump nuk është realist, madje edhe kundërproduktiv”.
”Trump është në thelb një biznesmen”, përfundon ai, duke gjykuar se është e mundur që ai e koncepton këtë ide ”si një mënyrë për të futur të gjithë aktorët në rajon në valle, për të dalë nga përballja izraelito-palestineze, e dënuar me përsëritjen e së njëjtës tragjedi”./ a.jor.