TEHERAN – Irani sinjalizon gatishmërinë për të biseduar me Trump

TEHERAN, 5 shkurt /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araghchi tha sot se udhëheqja në Teheran mund të jetë e hapur për bisedime me administratën e presidentit amerikan Donald Trump.
“Nëse shqetësimi kryesor është se Irani nuk kërkon armë bërthamore, atëherë kjo është e arritshme”, tha Araghchi në një takim të kabinetit në Teheran.
Trump lëshoi dje një memorandum presidencial që urdhëroi administratën e tij të ushtrojë presion maksimal ndaj Iranit – me masa që përfshijnë sanksione të reja dhe zbatim më të ashpër të sanksioneve ekzistuese.
Por, ai sugjeroi gjithashtu një gatishmëri për të arritur një marrëveshje.
“Ne nuk duam të jemi të ashpër ndaj Iranit. Ne nuk duam të jemi të ashpër me askënd”, tha Trump.
“Por ata thjesht nuk mund të kenë një bombë bërthamore”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur deklaratës së Trump, Araghchi tha se politika e ushtrimit te “presionit maksimal” të urdhëruar nga presidenti amerikan nuk kishte funksionuar gjatë mandatit të tij të parë dhe se një përpjekje e re ishte gjithashtu “e dënuar te dështonte”.
Por, ndërsa Araghchi la të kuptohet për mundësinë e bisedimeve me Uashingtonin, zëvendëspresidenti Iranian, Mohammad Reza Aref ishte më i kujdesshëm sot.
Aref tha se një takim midis Trump dhe presidentit iranian Masoud Pezeshkian nuk ishte aspak në rendin e ditës.
Trump hyri sërish në Shtëpinë e Bardhë pasi mosmarrëveshja mbi programin bërthamor të Iranit është rritur.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se Irani po planifikon të rrisë numrin e centrifugave të tij dhe të zgjerojë infrastrukturën për pasurimin e uraniumit. Megjithatë, qeveria në Teheran deklaroi se nuk po kërkon armë bërthamore.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ka një marrëdhënie miqësore me Trump, ka paralajmëruar vazhdimisht se do të bombardojë objektet bërthamore iraniane.
Trump shkroi sot në platformën e tij “Truth Social” se donte që Irani të bëhej një vend i madh dhe i suksesshëm, por ai nuk mund të lejohej të kishte armë bërthamore.
Ai gjithashtu minimizoi nocionin se SHBA-së se mund të nisë një sulm të madh ndaj Iranit, duke shkruar: “Raportet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke punuar në bashkëpunim me Izraelin, do ta hidhnin Iranin në erë, ishin shumë të ekzagjeruara. //a.i/