TEL AVIV – Izraeli dëbon 171 aktivistë nga Flotilja Globale, përfshirë Greta Thunberg

TEL AVIV, 6 tetor /ATSH-AA/ – Qeveria e Izraelit ka dëbuar 171 aktivistë të tjerë nga Flotilja Globale “Sumud”, e cila u sulmua nga ushtria izraelite ndërsa përpiqej të thyente bllokadën e paligjshme të Rripit të Gazës dhe të shpërndante ndihma humanitare.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme izraelite në X thuhet se 171 aktivistët e ndaluar nga Flotilja u dërguan në Greqi dhe Sllovaki.
Në mesin e të deportuarve është edhe aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg.
Në deklaratë përfshihen edhe foto të disa prej aktivistëve, përfshirë Thunberg, duke u deportuar në aeroport.
Ndërkohë ka tërhequr vëmendje fakti se Thunberg dhe aktivistët e tjerë në foto ishin të veshur me veshje me një ngjyrë.
Flotilja Globale “Sumud”, e cila ishte në rrugë për të thyer bllokadën izraelite dhe për të shpërndarë ndihmë humanitare në Gaza, iu afrua ujërave të Gazës në mbrëmjen e 1 tetorit.
Ushtria izraelite sulmoi flotiljen, duke kapur ilegalisht disa anije dhe duke ndaluar qindra pasagjerë të tyre.
Flotilja Globale “Sumud” është flotilja më e madhe deri më tani e nisur në formë masive për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza./ /os/