TEL AVIV – Izraeli deporton aktivistët e flotiljes së Gazës, videoja e Ben-Gvir shkakton reagime në Evropë

TEL AVIV, 21 maj /ATSH-DPA/- Izraeli ka nisur deportimin e qindra aktivistëve ndërkombëtarë, në bordin e flotës së ndihmave, që u ndalua gjatë rrugës drejt Gazës, njoftoi sot organizata për të drejtat e njeriut “Adalah”, ndërsa janë shtuar kritikat për trajtimin e pjesëmarrësve të ndaluar në Izrael.
Sipas “Adalah”, të gjithë pjesëmarrësit në flotiljen ndërkombëtare “Gaza Sumud” janë liruar nga burgjet në Izrael dhe ndodhen në proces deportimi, shumica prej tyre përmes aeroportit Ramon në jug të vendit.
Portali izraelit i lajmeve “ynet”, duke cituar “Adalah”, raportoi se katër aktivistë janë larguar tashmë me fluturime nga aeroporti ndërkombëtar “Ben Gurion” pranë Tel Avivit.
“Adalah” akuzoi Izraelin për torturë, poshtërim dhe ndalim të paligjshëm të aktivistëve paqësorë, ndërsa zemërimi u shtua pas publikimit të një videoje ku ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, shfaqej duke tallur të ndaluarit e prangosur.
Videoja, e publikuar dje, shkaktoi reagime të forta nga qeveri evropiane.
Italia, Franca, Spanja dhe Portugalia njoftuan se kishin thirrur ambasadorët dhe diplomatët e lartë izraelitë, ndërsa Greqia dhe Holanda protestuan zyrtarisht pranë qeverisë izraelite për veprimet e ministrit, Ben-Gvir.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se trajtimi i aktivistëve i shfaqur në video ishte “plotësisht i papranueshëm”, duke i bërë thirrje qeverisë izraelite të garantojë mbrojtjen dhe trajtimin dinjitoz të këtyre aktivistëve.
Kritika pati edhe brenda Izraelit, ku kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Jashtëm Gideon Saar u distancuan nga veprimet e Ben-Gvir.
Izraeli ndaloi në fillim të javës 50 anijet e flotiljes së ndihmave në ujërat ndërkombëtare pranë Qipros.
Rreth 430 aktivistë synonin të thyenin bllokadën detare të Rripit të Gazës. //a.i/