Karakaçi: Projekti i kanalizimeve të Tiranës në fazë rishikimi, pritet rifillimi i punimeve për impiantin në Kashar

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot në Kuvend se projekti për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe mbetet një nga investimet prioritare kombëtare, pavarësisht vonesave dhe problematikave të hasura gjatë zbatimit të tij.
Deklarata u bë gjatë interpelancës së kërkuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili ngriti shqetësime mbi ecurinë e projektit të financuar përmes një huaje të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), që prej vitit 2008, me qëllim ndërtimin e sistemit të trajtimit përfundimtar të ujërave të ndotura në kryeqytet.
Ministri Karakaçi theksoi se projekti, me një vlerë rreth 61 milionë euro, ka si komponent kryesor ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar, me kapacitet rreth 94 mijë m³ në ditë, si dhe ndërtimin e kolektorëve kryesorë për transportimin e ujërave të ndotura drejt impiantit.
Sipas tij, zbatimi i projektit është shoqëruar me vonesa të konsiderueshme për shkak të problematikave të hasura nga kontraktori dhe mbikëqyrja e punimeve, duke përfshirë ritëm të ulët pune, mosrespektim të grafikut, mungesë mobilizimi teknik dhe probleme në standardet e cilësisë dhe sigurisë.
Karakaçi u shpreh se kontrata e punimeve është ndërprerë në mënyrë të njëanshme në korrik të vitit 2018, pas një procesi auditimi dhe vlerësimi institucional, ku sipas autoriteteve rezultuan shkelje të shumta kontraktuale.
Në atë moment, sipas ministrit, projekti kishte një realizim fizik rreth 50% për punimet civile të impiantit, rreth 50% për kolektorin kryesor dhe rreth 1% për punimet elektromekanike.
Ai shtoi se pas ndërprerjes së kontratës dhe përfundimit të supervizimit në vitin 2019, është punuar për rishikimin teknik të projektit dhe përgatitjen e dokumentacionit të ri, me qëllim rifillimin e procedurave për përfundimin e investimit.
“Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të përditësimit të projektit teknik dhe shumë shpejt pritet të nisin procedurat për zgjedhjen e kontraktorit të ri për përfundimin e impiantit të trajtimit të ujërave në Tiranë”, deklaroi ministri.
Ai theksoi se pavarësisht sfidave të trashëguara dhe procedurave komplekse ndërkombëtare, qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për finalizimin e projektit, i cili sipas tij është jetik për përmirësimin e mjedisit dhe modernizimin e sistemit të kanalizimeve në kryeqytet.
/j.p/r.e/