E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli eliminon liderin e ri ushtarak të Hamasit

TEL AVIV, 28 maj /ATSH – ANSA/- Hamasi ka konfirmuar vrasjen në një sulm ajror izraelit të martën në mbrëmje të Mohammed Odeh, lider i krahut ushtarak, Brigadave al-Qassam.

Odeh ishte emëruar vetëm 11 ditë më parë, si zëvendësues i Izz al-Din al-Haddad, i cili gjithashtu ishte vrarë nga IDF më 15 maj në një sulm me dinamika pothuajse identike: në të dy rastet bëhej fjalë për një sulm të dyfishtë ajror ndaj dy objektivave të ndryshëm në lagjen Rimal të Gaza City, ku u vranë edhe gruaja dhe një djalë i Haddadit, si dhe gruaja dhe tre fëmijët e Odehut.

Në të dy rastet pati përfshirje edhe të Shin Bet, shërbimit të inteligjencës së brendshme izraelite.

Ky i fundit deklaroi në një njoftim se sulmi erdhi “pas muajsh monitorimi nga inteligjenca dhe aktivitetesh operative të mbikëqyrjes”, duke i zbuluar në momentet kur ishin më të ekspozuar, pasi kishin dalë nga shtëpitë e fshehta për të vizituar familjarët.

“Do të vazhdojmë të kërkojmë këdo që ka marrë pjesë në masakrën e 7 tetorit. Herët a vonë do t’i arrijmë të gjithë”, deklaroi kryeministri Netanyahu duke njoftuar eliminimin.

“Janë të vdekur që ecin”, shtoi ministri i Mbrojtjes Katz, duke konfirmuar se Izraeli synon të vazhdojë pa afat me vrasjet e synuara të gjithë zinxhirit komandues të Hamasit, i cili ende kontrollon rreth 40% të Rripit të Gazës pas armëpushimit (të armatosur) të tetorit. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›