Rama kujton nga Korça 26 majin ’96: Socialistët u përballën me furinë e dhunës dhe brutalitetit

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama mori pjesë sot në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Korçë.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se një koincidencë e madhe bashkoi në një datë, 26 majin, dy momente shumë domethënëse të historisë së PS-së duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të 1996 dhe konferencës ndërqeveritare të dy ditëve më parë me BE-në.
Ai kujtoi 26 majin e vitit 1996, kur, theksoi Rama, “socialistët u përballën me furinë e një dhune dhe me një brutalitet që faktikisht e vuri të gjithë Shqipërinë përballë sfidës reale të ndërtimit të demokracisë”.
Sipas tij, kjo sfidë u shfaq shumë herë më e madhe sesa dukej në fillim, kur u përmbys diktatura, dhe e vendosi PS-në në një situatë jashtëzakonisht dramatike.
Rama tha se ata që ishin në vijën e parë, qoftë si përfaqësues të PS-së në ato zgjedhje, qoftë si drejtues të partisë në territor apo komisionerë të saj, u dhunuan, ashtu siç u dhunua tërësisht edhe rezultati i atyre zgjedhjeve, që sipas tij u grabitën nga pushteti i degraduar i Partisë Demokratike.
“26 maji i asaj kohe sot është i paimagjinueshëm për të rinjtë që janë këtu, por edhe për shumëkënd tjetër që nuk e ka jetuar atë moment dramatik. Është e paimagjinueshme sot Shqipëria ku opozita dhunohej rregullisht, ku kishte vetëm një ekran, ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, dhe në atë ekran nuk shfaqej asnjëherë opozita, përveçse në raste kur pamjet shoqëroheshin me komente negative të spikerit të lajmeve”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se Shqipëria e asaj kohe kishte vetëm një gazetë opozitare dhe ajo u bë “shkrumb e hi” nga ai që e cilësoi si një regjim brutal.
“Nuk mund të imagjinohet sot nga shumëkush se ishte e pamundur të ishe në opozitë dhe të mos keqtrajtoheshe apo denigroheshe dita-ditës”, deklaroi ai.
“E tha këtu njëri nga themeluesit e Partisë Socialiste të Korçës se si selia e Partisë Socialiste u fut në një cep, ndërkohë që, edhe vetë qielli filloi të përlotet edhe të vajtoj tani që po dëgjon se ç’ishte ajo kohë”, u shpreh Rama.
/gj.m/j.p/r.e/