TEL AVIV – Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve duke sinjalizuar një sulm të ri në jug të Gazës

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ – Ushtria izraelite urdhëroi dje evakuimIN masiv të palestinezëve nga Khan Younis – duke sinjalizuar nje sulm të ri tokësor në qytetin e dytë më të madh të Rripit të Gazës, sipas AP.
Urdhri sugjeron se Khan Younis do të jetë objektivi i fundit i sulmeve të Izraelit në Gazë, ndërsa IDF vazhdon të ndjekë rigrupimin e militantëve të Hamasit.
Pjesa më e madhe e Khan Younis u shkatërrua gjatë një sulmi në fillim të këtij viti, por një numër i madh palestinezësh ishin kthyer për t’i shpëtuar një sulmi tjetër izraelit në qytetin më jugor të Gazës, Rafah.
Evakuimi erdhi pasi Izraeli liroi drejtorin e spitalit më të madh të Gazës, pasi e mbajti atë për shtatë muaj pa akuzë apo gjyq.
Izraeli pretendoi se spitali ishte përdorur si qendër komanduese e Hamasit, gjë që ai dhe zyrtarë të tjerë palestinezë shëndetësorë e kanë mohuar.
Mjeku tha se ai dhe të burgosurit e tjerë u mbajtën në kushte të rënda dhe se ishin torturuar.
Vendimi për lirimin e Mohammed Abu Selmias ngriti pikëpyetje mbi pretendimet e Izraelit rreth spitalit “Shifa”, të cilin forcat izraelite e kanë bastisur dy herë që nga fillimi i luftës me Hamasin. Spitali mbeti i dëmtuar rëndë pas bastisjeve.
Lirimi i Abu Selmias shkaktoi një zhurmë në të gjithë spektrin politik të Izraelit.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu e quajti atë “një gabim të rëndë”.
Ministrat e qeverisë dhe udhëheqësit e opozitës shprehën zemërim dhe këmbëngulën se Abu Selmia luajti një rol në përdorimin e supozuar të Hamasit të spitalit – edhe pse shërbimet izraelite të sigurisë rrallëherë lirojnë të burgosur në mënyrë të njëanshme nëse ata kanë dyshime për lidhje militante. //a.i/