TEL AVIV – Netanyahu në vizitë zyrtare në SHBA

TEL AVIV, 21 korrik /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet nesër pasdite me presidentin amerikan Joe Biden, njoftoi sot zyra e liderit izraelit.
“Netanyahu pritet të niset sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha zyra e tij.
Biden dhe Netanyahu u takuan për herë të fundit në Tel Aviv – menjëherë pas masakrave të kryera nga organizata militante islamike palestineze Hamas, më 7 tetor.
Sipas raportimeve të mediave, biseda midis dy liderëve pritet të fokusohet kryesisht në përpjekjet për të siguruar një armëpushim në konfliktin e Gazës – dhe lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë.
Në Izrael, ka pasur kritika për udhëtimin jashtë shtetit të Netanyahut. Protestuesit kërkuan që ai të largohej nga vendi – vetëm pasi të ishte arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Të mërkurën, Netanyahu do t’u drejtohet të dy dhomave të Kongresit amerikan në lidhje me veprimet ushtarake të Izraelit në Gazë.
Marrëdhëniet mes Bidenit dhe Netanyahut konsiderohen të tensionuara. Netanyahu së fundmi shkaktoi zemërim në një video në të cilën ai kritikonte ashpër qeverinë amerikane për ndalimin e dërgimit të armëve. //a.i/