TEL AVIV – Shefi i IDF-së: Izraeli mund të monitorojë kufirin e Gazës pa një prani fizike të vazhdueshme

TEL AVIV, 15 gusht /ATSH-DPA/- Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) do të jenë në gjendje të vazhdojnë të kontrollojnë kufirin midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit – pa një prani fizike të vazhdueshme, tha sot shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, Herzi Halevi, përpara bisedimeve për armëpushimin në Doha.
“Në rast se IDF tërhiqet nga zona, ajo do të jetë ende në gjendje të vendoset në kufi siç kërkohet”, tha Halevi gjatë një vizite dje në Korridorin e Filadelfit, sipas radios izraelite.
Korridori i Filadelfit shtrihet për 14 kilometra përgjatë kufirit të Rripit të Gazës me Egjiptin, duke arritur nga kufiri me Izraelin deri në Detin Mesdhe. Ai ishte nën kontrollin e Izraelit derisa Izraeli u tërhoq nga Gaza në 2005.
IDF rimori kontrollin e korridorit, i cili përfshin kalimin kufitar të Rafahut.
Ai shihet si çelësi për kontrollin e armëve dhe mallrave të tjera që hyjnë në Gazë nga Egjipti.
Ndërsa Hamasi ka kërkuar që IDF të tërhiqet plotësisht nga Gaza, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur që IDF të mbajë kontrollin e Korridorit të Filadelfit.
Gjatë vizitës së tij, Halevi tha se IDF do të rrisë operacionet derisa të lirohen të gjithë pengjet e mbajtura nga Hamasi.
“Kthimi i pengjeve është një qëllim lufte”, u tha ai trupave të IDF. //a.i/