Zjarrvënie e qëllimshme, policia procedon dy persona në Dibër dhe një në Lushnjë

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Policia e Matit, në qarkun Dibër, njoftoi sot se si rezultat i hetimeve të kryera për aktin e dyshuar të piromanisë, nisën procedim penal për të moshuarin me inicialet F.S., 73 vjeç, banues në fshatin Shoshaj të Burrelit dhe A.N., 40 vjeç, banues në Maqellarë.
Këta dy shtetas kanë ndezur zjarre me qëllim pastrimin e kullotave të tyre në fshatin Shoshaj dhe Obok, e si pasojë e erës, zjarret kanë dalë nga kontrolli duke djegur një sipërfaqe toke prej 3 hektarësh me bimësi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë Komisariati i Policisë Lushnjë ka arrestuar shtetasin R. S., 70 vjeç, banues në fshatin Karbunarë, pasi ky shtetas dyshohet se nga pakujdesia, ka ndezur zjarr në tokën e tij, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, për të djegur mbeturinat, dhe si pasojë e erës zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur rreth 50 ha tokë të mbjellë me pemë frutore dhe ullishte, si dhe u rrezikuan disa banesa përreth.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë, Zjarrfikëses, Emergjencave Civile dhe të Bashkisë, është bërë i mundur evakuimi i banorëve nga zona e rrezikuar, si dhe shuarja e vatrave të zjarrit.
“Për këtë rast u procedua penalisht edhe shtetasi D. C., 37 vjeç, banues në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë, pasi ka tentuar të pengojë punonjësit e Policisë për shoqërimin e banorëve të pranishëm në vendngjarje, në momentin e rënies së zjarrit”, njoftoi policia.