E Shtunë, 31 Tetor 2026

THE ECONOMIST: Shqipëria ua ka shpifur të gjithëve (SHKRIMI I PLOTE)

Nga Tim Judah, The Economist

Gjatë një takimi me një zyrtar të lartë të Bashkimit Europian së fundmi, i përmenda faktin se do të shkoja në Shqipëri. Mërmëriti diçka nëpër dhëmbë, të cilën nuk mund ta përsëris këtu, dhe u largua, mesa duket i irrituar nga përmendja e emrit të vendit. Mund ta kuptosh pse. Më 8 maj vendi votoi për zgjedhjet lokale. Mbi një muaj më vonë ne nuk e dimë ende se kush është kryebashkiak i Tiranës. Nëse shqiptarët nuk mbajnë dot as zgjedhje lokale pa rrezikun e shpërthimit të dhunës, mendojnë eurokratët, ata nuk mund të presin dashuri nga Brukseli.

Edit Harxhi, zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, pajtohet. Për mua është jashtëzakonisht dëshpëruese, thotë ajo. Zgjedhjet ishin më të mirat që kemi mbajtur gjer më tani, dhe kishte vetëm disa probleme të vogla. (Opozita socialiste nuk do të pajtohet më këtë vlerësim rozë). Rezultati neto, thotë zonja Harxhi, është që integrimi drejt BE ka ndaluar tani për tani.

Kjo është një përmbledhje e thjeshtëzuar e asaj që ka ndodhur në Tiranë. Qytetarët në kryeqytet votuan në katër kuti të ndryshme: për kryebashkiakun, këshillin e qytetit dhe sërish për çdo minibashki të qytetit. Edi Rama, lideri i socialistëve, ka qenë kryebashkiak që nga viti 2000 dhe po kërkonte të rizgjidhej.

Ndërsa numërimi i afrohej fundit, u bë e qartë se rezultati do ishte ekstremisht i ngushtë.

Në fund, Rama doli dhjetë vota përpara rivalit të tij, Lulzim Basha nga Partia Demokratike në qeverisje.

Demokratët thanë se disa vota për kryebashkiak ishin hedhur në kutitë e gabuara: nëse do të numëroheshin, thanë ata, njeriu i tyre do të fitonte me 81 vota. Rregullat dukeshin të paqarta. Numëruesit e votave ishin udhëzuar që të mos numëronin fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara, por nuk kishte rregulla në Kodin Zgjedhor që mbulojnë një çështje të tillë. Tani autoritetet zgjedhore tregojnë se Basha është fitues.

Socialistët apeluan në Kolegjin Elektoral, trupën më të lartë zgjedhore në Shqipëri. Çështja e tyre u rrëzua, por mbrëmë një tjetër padi u pranua pjesërisht.

Megjithatë ata sërish pretendojnë se autoritetet zgjedhore ndryshuan rregullat gjatë numërimit dhe se në kuti kishte më shumë vota se votues.

Aldo Bumçi, kryetar i Partisë Demokratike për Tiranën, e përshkruan manovrën socialiste si një manipulim artificial.

Nëse autoritetet vendosin në favor të Ramës, thotë Bumçi, ne do e pranojmë këtë, por ai thotë se partia e tij nuk do e lëshojë fitoren në mënyra të tjera. Ne duam që çdo votë të numërohet dhe zoti Rama nuk e do këtë. Kjo është diferenca.

Zoti Rama, nga ana e tij, mendon se demokratët po kënaqen me zanatin e vjedhjes së zgjedhjeve, që ndodhi së fundmi edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Është një vjedhje në mes të ditës, thotë ai. Shqipëria ka ngecur për shkak se nuk mban zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Siç sugjeron vota e Tiranës, shqiptarët janë të ndarë në mes për këtë çështje. Kushdo që bëhet kryebashkiak i Tiranës do të shihet si ilegjitim nga gjysma e popullatës së qytetit. Dhe bllokimi në Shqipëri do të vijojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›