E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIFF, trofeu për filmin që përfaqëson Maqedoninë në Oscar

Punks not dead, filmi maqedonas i përzgjedhur si kandidat për Oskar në kategorinë e filmit të huaj, në edicionin e 84-të të Academy Awards, është shpallur si filmi më i mirë në Tirana International Film Festival. Mbrëmjen e së shtunës u mbyll në Tiranë edicioni i nëntë i TIFF. Me gjithë vështirësitë financiare, që këtë vit u përballën institucionet kulturore, duke çuar edhe në anulimin e aktiviteteve të përvitshme, TIFF arriti tia dalë edhe kësaj here. Ndonëse larg qendrës së kryeqytetit, çka nuk e favorizonte ndjekshmërinë e tij nga publiku i interesuar, ai e çoi deri në fund misionin e vet, duke sjellë në Tiranë filma nga të gjitha gjinitë, madje edhe fitues në festivale prestigjioze. Mbi 100 filma nga vende të ndryshme të botës konkurruan në kategoritë e festivalit, i cili ndau edhe trofetë e radhës. Më i miri i këtij viti, përzgjedhur nga një juri profesionistësh, ku merrnin pjesë regjisori Dhimitër Anagnosti, aktorja Elvira Diamanti, kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, në Tiranë, Ettore Sequi dhe kineasti Massimiliano Nardulli, u shpall dokumentari maqedonas Punks not dead, me regji të Vladimir Blazevski. Një mikrokozmos ndjenjash dhe gjendjesh që përshkruan gjallërinë e një gjenerate. Një film i veçantë që nuk na lë indiferent. Ky ishte motivacioni që shoqëroi trofeun, që iu dha një filmi komedi e zezë, që trajton temën e bashkëjetesës së grupimeve etnike e kulturore, që në Maqedoni nuk është aq e paqtë. Po ky film meritoi edhe çmimin e medias për temën specifike, për tensionet etnike dhe nacionalizmin; tipologjia e personazheve, mjaft e gjetur në një gjuhë filmike që mbante pezull publikun; grotesku që ky film përcjell. Edhe shumë trofe të tjerë u ndanë mbrëmjen e së shtunës për regjinë më të mirë, aktrimin dhe për çdo kategori me radhë, për filmin e shkurtër artistik, dokumentarin, eksperimentalin, animacionin. Një kategori më vete ishte në këtë edicion, ai i filmit shqiptar, ku konkurruan 27 filma me metrazh të shkurtër. Fitues në këtë kategori u shpall regjisori Kast Hasa, me filmin Home, i cili në fakt vinte si një produksion amerikan. Ka kthime e kthime Në këtë rast Kast Hasa kthehet në shtëpi me një subjekt në dukje të thjeshtë, por që mbart një nga dramat e ditëve të sotme. Regjisori i ri na sjell afër një temë pak të diskutuar. Gjymtimi i individit për hir të të mirave materiale. Me këtë motivacion ka shoqëruar trofeun juria e kësaj kategorie. Gjatë ditëve të festivalit nuk munguan edhe retrospektivat e homazhet e kineastëve, të cilët kanë lënë gjurmë në kinematografinë botërore. Një ndër ta ishte edhe Vittorio de Setta, i cili u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë.

Trofetë e TIFF 2011
Filmi më i mirë me metrazh të gjatë
Punks not dead, Vladimir Blazevski,
Maqedoni, dokumentar
Beryl Koltz për Hot Hot Hot
Aktori më i mirë
Rob Stanley për Hot Hot Hot
Aktorja më e mirë
Monica Birledeanu për Maternity Blues
Filmi i shkurtër artistik më i mirë
The sound of rain, Jalal Saedpanah, Iran
Filmi i animuar më i mirë
Tale of the wind, Claudio Jordao, Portugali
Dokumentari më i mirë i shkurtër
The conversation, Piotr Sulkowski, Poloni
Filmi më i mirë eksperimental
Paper memories, Theo Putzu, Spanjë
Filmi shqiptar më i mirë
Home, Kast Hasa, USA
Çmimi i medias
Punks not dead, Vladimir Blazevski,
Maqedoni
Çmimi i Imperial
The stone on the shore, Jonada Jashari, USA
Çmimi special për filmin e gjatë
A trip, Nejc Gazvoda, Slloveni
Çmimi Ron Halloway
Jam Today, Simon Ellis, UK
Çmimi i publikut
Maternity Blues, Fabrizio Cattani, Itali
Çmimi i internetit
Filmi i gjatë më i mirë
Maternity Blues, Fabrizio Cattani, Itali
Filmi artistik
Greetings from Prishtina, Petrit Domi, Kosovë
Filmi i animuar
Way out, Lili Sheikhat, Izrael
Filmi dokumentar
Were not in paradise, Lendita Zeqiri, France
Filmi eksperimental
Paper memories, Theo Putzu, Spanjë
Filmi shqiptar
Father, Gledis Bica, Shqipëri

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›