E Diel, 1 Nëntor 2026

12 rekomandimet e KE, mazhoranca dhe opozita miratojnë me konsensus “planin e ri të veprimit”

12-12-2011 / Gazeta 55

Bregu: Nga janari i 2012-ës, nisim punën për realizimin e kushteve të integrimit


Mazhoranca dhe opozita kanë miratuar me konsesus fillimin e punës për Hartimin e Planit të ri të Veprimit, për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian. Plani i ri i veprimit që do të hartohet nga Ministria e Integrimit me monitorimin e Komisionit Evropian, do të jetë gati në fund të muajit janar, për t’ju dorëzuar më pas në muajin shkurt, autoriteteve të Brukselit. Më herët ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu gjatë diskutimeve të zhvilluara në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar të integrimit për 12 rekomandimet, ka njoftuar se në janar të vitit 2012 qeveria shqiptare do ketë një axhendë të re veprimi për përmbushjen e kritereve të lëna si detyrë nga KE, për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ministrja Bregu sqaroi se grupi i punës do monitorojë zbatimin e 12 rekomandimeve bazë, ndërkohë që do të ketë edhe ndarje të masave që do të zbatohen nga institucionet qeveritare. “6 rekomandime nga 12 të vendosura janë përgjegjësi direkt e Ministrisë që unë drejtoj”- tha Bregu. Partia Socialiste përmes kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruci deklaroi se politika është vonë ndaj duhet të rifitojë kohën e humbur. Ndërsa shprehu gadishmerinë e opozitës për bashkëpunim, Ruci shprehu keqardhjen që për të shkuar në Komisionin e Veneceias ishte përzgjedhur vetëm një delegacion nga mazhoranca dhe jo deputete të opozitës. “Jemi të gatshëmm për të bashkëpunuar lidhur me 12 rekomandimet. Këtë se kam propagande politike. Plani i veprimit që ne kemi nënshkruar si palë i kemi qëndruar strikt”- u shpreh Ruci. Punimet e komisionit të integrimit u ndoqën sot dhe nga ambasadori i BE në Tiranë Ettore Sequi. Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, duke vlerësuar diskutimet e bëra, theksoi se Bashkimi Europian është i gatshëm për të ndihmuar në këtë proces, ndërkohë nënvizoi se rezultatet e këtij procesi kërkojnë bashkëpunim dhe angazhim nga të dyja palët.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›