Pse Shqipëria duhet të abstenojë për Izraelin!
Shqipëria duhet të abstenojë për çështjen e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë javë, në momentin kur nesër, Presidenti i Autoritetit Palestinez do të kërkojë të njihet ndërkombëtarisht, në mënyrë të njëanshme, Autoriteti Palestinez, si shtet i pavarur. Kjo sjellje e shtetit shqiptar në prag të 100-vjetorit të themelimit të vet, nuk duhet të bëhet as për arsye ideologjike, as për arsye teologjike, as për arsye politike, as për arsye pragmatike, por për arsye strategjike, afatmesme dhe afatgjata.
* * *
Shqipëria ka qenë në 50 vitet e fundit një nga shtetet suportuese politike, ushtarake, diplomatike dhe financiare edhe për shkak të ish-regjimit komunist të Palestinës dhe të kauzës palestineze. Kjo histori vijoi edhe në kohën e sistemit të ri pluralist në vend. Mjafton të kujtojmë që në varrimin e ish-Presidentit Jaser Arafat, shteti shqiptar u përfaqësua me zëvendëskryeministrin e vet të asaj kohe. Qëndrimet e njëpasnjëshme ndërkombëtare të Shqipërisë ndër vite kanë qenë të gjitha në një drejtim, Palestina ka të drejtë të themelojë shtetin e vet. Vendet arabe, selitë e tyre diplomatike në Tiranë, janë munduar që marrëdhëniet e tyre diplomatike me Shqipërinë ti kushtëzojnë edhe më një lloj marrëdhënieje që Shqipëria duhet të kishte për çështjen e Palestinës. Madje edhe anëtarësimi i shumëpërfolur i Shqipërisë në Organizatën e Konferencës Islamike në vitet 90 në heshtje, do të thoshte përqafim i kauzës palestineze politikisht nga Shqipëria. Në fakt, politikisht dhe institucionalisht, Shqipëria gjithnjë është shprehur qartë për mbështetje në krijimin e shtetit palestinez.
* * *
Pas rënies së komunizmit, Shqipëria, e cila deri në atë kohë, për arsye ideologjike, e kishte sulmuar hapur sionizmin dhe krijimin e shtetit të Izraelit, ndryshoi qëndrim. Së pari politikisht dhe institucionalisht, Shqipëria pranoi të drejtën e vetëvendosjes të shtetit Izraelit dhe të drejtën e ekzistencës së tij. Nga ky moment, deri në ditët e sotme, kemi asistuar në vijueshmëri forcim të këtyre marrëdhënieve jo vetëm nëpërmjet hapjes së ambasadave dhe lidhjeve diplomatike, por edhe me lidhje ekonomike, bashkëpunim kulturor, shkëmbime të ndërsjella të vizitave të niveleve të larta shtetërore deri te presidentët dhe kryeministrat respektivë, apo dhe bashkëpunim të suksesshëm në fushën e arsimit dhe të agjencive të sigurisë. Në një lloj forme, Shqipëria ka treguar se një e ardhme paqësore në Mesdhe me Izraelin, është edhe mënyra më e mirë që të ketë një të ardhme paqësore me një shtet të ri shqiptar në Ballkan, tezë e cila ka qenë më kontroversja e përdorur nga fqinjët sllavë kundër krijimit të shtetit të Kosovës.
* * *
Në fakt, lobi hebre në SHBA ka qenë më aktivi në mbrojtje të kauzës shqiptare në Uashington vitet e fundit, sidomos për çështjen e Kosovës. Ai lob i është kundërvënë hapur lobit sllav dhe atij grek në 20 vitet e fundit për çështjen shqiptare në Ballkan. Pa këtë ndihmë të vyer të lobit hebre, vështirë se do të ndodhte ajo thyerje kulturore dhe historike në favor të shqiptarëve në Uashington, e cila rezultoi me një aleancë historike mes kombit shqiptar dhe SHBA-ve. Vetë shteti i Izraelit, pavarësisht se nuk e ka njohur Kosovën ende si shtet, ka bashkëpunuar ngushtë me qeveritë dhe autoritetet në Prishtinë, sidomos në çështjet e sigurisë dhe të ekonomisë, duke mos lënë hapësira për ekuivokë politikë mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me Izraelin. Për fat të keq, e njëjta gjë nuk mund të thuhet përsa i përket Autoritetit Palestinez, madje deklaratat skandaloze të ambasadorit palestinez në Beograd pak javë përpara nuk lënë hapësirë për diskutim. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Organizatën e Konferencës Islamike, pavarësisht investimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë, rezultatet e njohjes së Kosovës nga OKI janë, pa dyshim, pezmatuese. Më shumë ka bërë Behxhet Pacolli me lobim personal, sesa OKI si organizatë e madhe ndërkombëtare.
* * *
Së fundi, çështja e votimit në OKB për shtetin e Palestinës do të vërë kundër njëra-tjetrës shumë interesa nëpër botë. Presionet që i bëhen Shqipërisë nga njëra anë ose tjetra për votën pro apo kundër Palestinës, në një mënyrë ose tjetër, do të përfundojnë për ta dëmtuar politikisht Shqipërinë dhe interesat e saj strategjike. Vota e Shqipërisë pro Palestinës do ta kundërvë Shqipërinë me gjysmën e botës dhe anasjelltas. Ndërkohë që vota e abstenuar e Shqipërisë në këtë çështje do të na vendosë në anën e atyre që zgjidhjen nuk e shohin nëpërmjet një konflikti të ri, por vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje, të cilën vetëm palestinezët dhe izraelitet, me mbikëqyrje ndërkombëtare, mund ta arrijnë. Çfarëdolloj qasje folklorike e kësaj çështjeje dëmton interesat kombëtare tonat, në kushtet kur Shqipëria po përgatitet të jetë pjesë dinjitoze e rendit të ri botëror, i cili nuk i udhëheq njerëzit nga bindjet ideologjike dhe teologjike, por nga e drejta e tyre për të jetuar si të barabartë në një botë globale.
Së fundi, ne shqiptarët nuk mund të bëhemi më katolikë se Papa. Sot të drejtën e ekzistencës së Izraelit e pranon gati e gjithë bota arabe, e pranon edhe vetë Hamasi, i cili dialogon me të. I vetmi flamurtar i zhdukjes së Izraelit është regjimi i ajatollahëve në Iran. Në kushtet që të dyja shtetet kanë të drejtë të jetojnë në atë territor, në paqe dhe prosperitet, ajo nuk mund të mbërrihet më një hap të njëanshëm, i cili me siguri do të ishte një burim i ri konflikti, por vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje të madhe që do të garantonte të dyja palët të kishin shtetin e tyre. Shqipëria duhet të angazhohet seriozisht për këtë zgjidhje, ndaj në votimin e OKB-së do të duhet të abstenonte.
