E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anti antiamerikanizmit

ARTAN GAÇI

Dëgjova ambasadorin Arvizu në një intervistë parmbrëmë tek Ora News, ku deklaroi se: Ka qenë një antiamerikanizëm i organizuar, i drejtuar dhe ka pasur një celulë, ka pasur drejtues, ka pasur mbështetje biznesi, ka pasur gjithashtu edhe makineri. Ka qenë një aktivitet i organizuar që ka pasur në plan të mund të marrë një kah politik.
Pra, na qenka krijuar një celulë, shoqëruar me mjete dhe financuar nga biznesmenë shqiptarë, për të ngritur një frymë antiamerikanizmi dhe, më keq akoma, që është tentuar ti ngjitet një partie politike. Turp! Nuk do të doja kurrë të kisha dëgjuar një histori të tillë, edhe sikur të kishte ndodhur në mënyrën me periferike nga ndonjë qytetar çfarëdo i këtij vendi, e jo më e organizuar në nivelet më të larta, siç deklaron ambasadori amerikan, fjalët e të cilit nuk kam asnjë arsye ti vë në dyshim.
Pavarësisht se nuk di asnjë detaj rreth këtij fakti, më mjafton ajo që dëgjova për tu ndjerë i turpëruar si shumëkush në këtë vend që duhet të jetë dhe është mirënjohës pa kufi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo vetëm për atë që kanë bërë në të kaluarën dhe vazhdojnë të bëjnë këta 20 vjet për popullin shqiptar, por veçanërisht për Kosovën, ku të gjithë ne shqiptarët, pa dallim, do ti mbetemi borxhlinj. Mendoj se pa ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara nuk do të kishte ndodhur kurrë ajo që ndodhi në Kosovë. Kombi shqiptar nuk do të ishte sot i pavarur e kryelartë, siç nuk ka qenë ndër shekuj; nuk do të ishte në pozita kaq të favorshme e dinjitoze në gjeopolitikën e Ballkanit; shqiptarët nuk do të ishin faktorë kaq të rëndësishëm jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Maqedoni e Mal të Zi. Vështirë se do të ishte korrigjuar padrejtësia e bërë nga fuqitë e mëdha në 1913-n, ku brenda Shqipërisë numëroheshin 850 000 e jashtë mbetën më shumë se 1 200 000 shqiptarë. E, së fundi, kufijtë e Shqipërisë nuk do të njehsoheshin me kufijtë e NATO-s, si kufijtë më të paprekshëm, po të mos kishte qenë për vullnetin dashamirës e mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve.
Shprehja Duajeni atdheun si shqiptarët Amerikën, pavarësisht se e thënë me doza humori, përmbledh, as më pak e as më shumë, respektin e gjithë mirënjohjen popullore ndaj Shteteve të Bashkuara, e mendoj se në çfarëdolloj rrethane, situate, interpretimi apo keqkuptimi personal, asnjë shqiptar nuk duhet të sfidojë miqësinë e përhershme ndërmjet Shqipërisë e Shteteve të Bashkuara.
Në këtë kuptim, deklarata e ambasadorit amerikan për këtë celulë antiamerikane nuk duhet të kalojë si një intervistë e radhës, por duhet të provokojë një reagim të gjerë dhe distancim të qartë nga këto tentativa për këtë frymë antiamerikane, që jam i sigurt, nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve e aq më pak tonat si përfaqësues të popullit. Asnjë nuk duhet të guxojë që për interesa personale të vërë në dyshim mirënjohjen e thellë të popullit shqiptar ndaj Shteteve të Bashkuara.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›