E Diel, 1 Nëntor 2026

TURQI – Katër viktima pas sulmit në një shkollë

STAMBOLL, 15 prill /ATSH-AFP/ – Katër persona, përfshirë tre nxënës, u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën sot, pas një sulmi ndaj një shkolle në provincën Kahramanmaras, në jug të Turqisë, njoftoi guvernatori lokal.

“Për fat të keq kanë ndodhur katër vdekje. Midis viktimave janë një mësues dhe tre nxënës. Gjithashtu kemi 20 të plagosur”, u tha gazetarëve guvernatori Mukerrem Unluer.

“Një nxënës mbërriti në shkollë me armë, me sa duket të babait të tij, në çantën e shpinës. Ai hyri në dy klasa dhe hapi zjarr pa dallim”, shpjegoi guvernatori.

”Dy klasat e synuara kishin nxënës të moshës rreth 10 vjeç”, deklaroi guvernatori, duke shtuar se katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Imazhet e publikuara nga agjencia private e lajmeve IHA tregojnë një person, me trupin dhe fytyrën e mbuluar, duke u evakuuar me një ambulancë, së bashku me prindërit e nxënësve në lot pranë shkollës.

“Një hetim është hapur nga Zyra e Prokurorit Publik të Kahramanmarash në lidhje me sulmin e armatosur që ndodhi në një shkollë në Kahramanmarash”, tha ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek për X.

Të martën, një adoleshent i armatosur me një pushkë gjahu kishte plagosur tashmë gjashtëmbëdhjetë persona në një shkollë të mesme teknike në provincën juglindore turke të Sanliurfa, përfshirë 10 nxënës dhe katër mësues.

Ngjarje të tilla janë relativisht të rralla në Turqi, ku megjithatë, sipas vlerësimeve të një fondacioni lokal, qarkullojnë dhjetëra miliona armë zjarri, shumica prej tyre në mënyrë të paligjshme./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›