TVSH-ja në bujqësi dhe faturat, dështimi i radhës në tatime
Miratimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në bujqësi në masën 6 për qind nuk ka gjetur zbatim, duke mbetur thjesht një ligj pa fuqi vepruese. Vetë mënyra se si ai është hartuar e bën të pamundur që fermerët të përfitojnë një pjesë të parave që ata kanë paguar si TVSH gjatë blerjes së inputeve bujqësore. Pasi nuk ka dhënë asnjë rezultat deri tani, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ka pajisur deri tani me kartela personale (mbi pasurinë dhe aktivitetin bujqësor) rreth 192 807 fermerë në të gjithë vendin. Ky proces bën të ditur MBUMK do t'i shërbejë zbatimit me efektivitet të skemës së rimbursimit të TVSH-së për sektorin e bujqësisë. Sipas një informacioni nga kjo ministri, regjistrimi i rreth 360 mijë fermave bujqësore, që janë aktualisht në të gjithë vendin, do të mundësojë krijimin e një sistemi "data base" të këtyre të dhënave, që përfshijnë sipërfaqen e tokës që ka në pronësi fermeri, llojin e kulturave bujqësore që mbjell, të ardhurat që merr nga aktiviteti bujqësor apo blegtoral, etj., të cilat përbëjnë dhe elementët e kartelës individuale të çdo fermeri.
Faturat dhe kasat
Por e njëjta situatë vazhdon që të jetë prezente edhe në biznesin e vogël, ku sipas ligjit të ri duhet që çdo shitje duhet të bëhet me faturë tatimore. Janë të pakta ato njësi tregtare në të gjithë vendin që shesin me faturë. Sipas ligjit të ri, biznesi i vogël do të paguajë tatimfitimin 10 për qind dhe për të realizuar këtë proces duhet që të mbajë një bilanc financiar. Madje për të bërë sa më të sigurt këtë proces, Ministria e Financave ka nxjerrë edhe një vendim për vendosjen e kasave dhe një rrjeti që bën të mundur kontrollin. Pas 4 vitesh qeverisje edhe shitja me faturë dhe vendosja e kasave mbeti një premtim i pambajtur, duke i lënë blerësit si gjithmonë pa asnjë informacion. Ligji i ri “Për Procedurat Tatimore” dhe udhëzimi përkatës i nxjerrë së fundmi nga ana e ministrit të Financave parashikon sanksione të rrepta për shitjen pa faturë, mosdeklarimin e çmimit, etj. Edhe këto masa nuk kanë sjellë asgjë të re, të gjitha shitjet nga ana e biznesit të vogël vazhdojnë të kryhen pa faturë tatimore dhe në shumë raste çmimet nuk bëhen publike, duke shkelur të gjitha të drejtat e klientëve.