“T’a rrëzojmë drejtësinë”, Berisha: Na duhet një reformë e re me ndihmën e Komisionit të Venecias

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se pjesë e programit të Partisë Demokratike kur të vijë në pushtet është zhbërja e reformës në drejtësi.
Gjatë një takimi për fushatën elektorale të 11 majit, Berisha pranoi se Brukseli mbështet reformën në drejtuesi e është kundër opozitës për këtë çështje, por sipas tij PD nuk do të tërhiqet e do të hartojë një reformë të re me Komisionin e Venecias
“Kemi një problem me Komisionin Europian, i cili është avokat i reformës në drejtësi”, tha ai.
Berisha përsëriti akuzat se SPAK është një prokurori politike. Sipas kryetarit të PD, edhe pse Prokuroria e Posaçme ka arrestuar ish ministra dhe kryetarin e bashkisë se Tiranës, çështjet që lidhen me kryeministrin Edi Rama janë mbyllur nga kjo prokurori.
Kryetari i PD, Berisha theksoi se fokusi kryesor në këto pak javë që na ndajnë nga zgjedhjet, do të jetë sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar për tentativat e Partisë Socialiste për të manipuluar vullnetin e qytetarëve.
Berisha lajmëroi se integritetin e zgjedhjeve do ta ngrejë edhe gjatë mbledhjes së këshillit te Europës që mbahet pas pak ditësh. /vizionplus.tv