Ta themelojmë Gjykatën për Krime Lufte

Iniciuesi i debatit parlamentar lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, rolin e EULEX-it etj., deputeti i PDK-së, Kurtan Kajtazi, ka bërë me dije për “Epokën e re” se gjatë këtij debati, i cili do të mbahet të premten ose në fillim të javës së ardhshme, do ta propozojë miratimin e një rezolute, nëpërmjet së cilës Qeverisë së Kosovës do t’i kërkohet përgatitja e legjislacionit të nevojshëm për themelimin e Gjykatës për Krime Lufte.
“Qëllimi kryesor i këtij debati është kërkesa për themelimin e Gjykatës për Krime Lufte. Do të kërkojmë nga Qeveria e Kosovës t’i përgatisë projektligjet e nevojshme për këtë gjykatë, pastaj t’i sjellë për miratim në Kuvend”, ka deklaruar Kajtazi.
Në këtë kontekst, deputeti Kajtazi ka thënë se vetëm Kosovës i mungon Gjykata për Krime Lufte.
“Të gjitha vendet e rajonit e kanë themeluar Gjykatën vendore për Krime Lufte, por Kosova ende nuk e ka bërë një gjë të tillë. Deri më tani gjykimin e krimeve të luftës është duke e bërë EULEX-i. Kuvendi ia ka zgjatur mandatin EULEX-it. Një ditë EULEX-i do të shkojë. Mandati i tij përfundon vitin e ardhshëm. Dhe, në këtë kontekst, Kosova duhet ta përgatisë legjislacionin e nevojshëm për të mos lënë zbrazëti dhe të krijojë Gjykatën për Krime Lufte”, është shprehur Kajtazi./Indeksonline/