E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e veriut kategorikisht kunder zgjedhjeve të 3 nëntorit

Serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë të kenë qëndrime të qarta kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

 Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Stevo Bozoviq ka thënë se qytetarët e kësaj komune nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës.

 “Në emrin tim, në emrin e kuvendit komunal dhe qytetarëve ju them që ne nuk do të marrim pjesë në ato zgjedhje sepse ato nuk do i sjellin asgjë të mirë Kosovës dhe Metohisë”, i ka thënë Bozoviq agjencisë serbe të lajmeve, Beta.

 Qëndrimin e qeverisë së Serbisë se është mirë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e 3 nëntorit, kryetari i Zubin Potokut e quan “gënjeshtër dhe fars”.

 “Nëse pranojmë që të marrim pjesë në zgjedhjet e shtetit të pa-pranuar të Kosovës, pavarësisht se ato do i organzojë OSBE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar, përderisa ato i shpallë Parlamenti i Kosovës, interesi i jonë do të kërcënohet dhe do të vihet në pikëpyetje mbijetesa jonë në Kosovë”, ka vlerësuar Bozoviq.

 Sipas tij, mesazhet se në ato zgjedhje do të votohet edhe me doumente të Serbisë janë thjeshtë mashtrim i popullit serb që të marrin pjesë sa më masovikisht në zgjedhjet e Kosovës.

 Në anën tjetër, kryetari paralel i Komunës së Mitrovicës i paguar nga Institucionet e Serbisë, Dragisha Vlaskoviq, ka thënë se qëndrimi i tij personal është që të mos votojë në zgjedhjet e Kosovës.

 “Unë nuk do të ndikojë te askush, ashtu si do vendos populli ashtu do të bëhet, mirëpo qëndrim im është ky; unë nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet që i organizon Prishtina dhe do të doja që vendimi i qytetarëve në këtë pikë të jetë unike”, ka thënë Vlaskoviq për BETA.

 Në anën tjetër kryetari paralel i Leposaviqit, Dragisha Vasiq, pret që pas konsultimeve me qeverinë në Beograd, serbët të kenë një qëndrim të përbashkët rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e 3 nëntorit.

 Sidoqoftë, Vasiq dhe udhëheqësi i Kuvendit të sapoformuar ilegal të “Kosovës dhe Metohisë”, Slavko Stefanoviq, janë shprehur kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e organizuara nga Kosova, pavarësisht se me çfarë dokumente do të votohet.

 Sipas tyre, derisa Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk mund të pranojë as ligjet dhe kushtetutën kosovare që me fjalë të tjera do të thotë se as serbët nuk do të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

 Ndërkaq kryetari i Zveqanit që paguhet nga shteti serb, Dragisha Miloviq, që nuk janë të krijuara kushtet që serbët të votojnë në zgjedhjet lokale të organizuara nga Kosova. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›