Ta vazhdojmë reformën
Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të vazhdohet reforma zgjedhore siç është paraparë me Marrëveshjen politike të vitit të kaluar.
Në këtë formë, Kuçi i është përgjigjur liderit të LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se nuk do të votojë reformën zgjedhore dhe kushtetuese pa u zbatuar në përpikëri marrëveshja politike, e cila parasheh mandatin e kufizuar të Presidentes Atifete Jahjaga.
Hajredin Kuçi ka thënë se partia e tij nuk ka fuqi politike të ndryshojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket mandatit të Presidentes.
Por, ka kërkuar të mos bllokohet reforma zgjedhore e kushtetuese për shkak të një pakënaqësie.
“I ftoj të gjithë që të bisedojmë, t`i shohim mundësitë tona, Marrëveshja ka shumë pika për reformën zgjedhore, por ne nuk e kemi fuqinë politike që t`ia ndryshojmë mandatin dikujt tjetër”, ka thënë Kuçi për televizion publik.
“PDK’ja në këtë rast është dëmtuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Çdo parametër flet se ne do t`i fitonim zgjedhjet, sikur në rastin e Ferizajt e Kaçanikut, e jo të tjerët që po bëjnë zhurmë sot që janë duke përdorë për fushata të brendshme elektorale”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Lideri i LDK’së mund t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sa i përket mandatit të Presidentes, ndërkohë ka thënë se nëse gjendet ndonjë mundësi për zbatimin e Marrëveshjes, atëherë PDK’ja do ta respektojë.
“Le ta gjejnë rrugën ata që po bëjnë zhurmë, ne e respektojmë Marrëveshjen njëqind për qind”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka ditë që është duke kërkuar zbatimin e Marrëveshjes politike sa i përket Presidentes, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese se mandati i Jahjagës është pesë vjet.
Mustafa ka thënë se vazhdon të besojë në zbatimin e Marrëveshjes dhe jo fjalëve të Kryeministrit se nuk do të këtë zgjedhje presidenciale dhe as parlamentare para afatit kushtetues dhe ligjor.
“Ne insistojmë që Marrëveshja të zbatohet, sepse pa zbatimin e saj nuk do të ketë kurrfarë votimi për reformën zgjedhore dhe për reformën kushtetuese”, ka thënë Lideri i LDK’së.
Ndryshe, Marrëveshja e arritur në prillin e vitit të kaluar ka kohë që është shkelur.
Afati i paraparë për përfundimin e reformës zgjedhore dhe kushtetuese kanë përfunduar, derisa dy herë u janë shtyrë mandatet dy komisioneve që merren me këto reforma.
Marrëveshje e nënshkruar mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së, e ndërmjetësuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, kishte paraparë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale më së largu në fund të këtij viti, ndërsa ato parlamentare në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
Por, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se mandati i Presidentes është pesë vjet, ka ndikuar që të paralajmërohet edhe fundi i kësaj marrëveshjeje, e cila po del se është antikushtetuese.
Presidentja, Kryeministri dhe amerikanët kanë kërkuar që mandati i Presidentes aktuale të mos preket, derisa LDK’ja dhe AKR’ja insistojnë që ajo t’u lëshojë udhë zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale.