E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Me “Paqen Fiskale”, qeveria shpërblen ata që nuk kanë paguar taksat

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, theksoi sot se qeveria nuk guxon që të publikojë listën e përfituesve nga “Paqja Fiskale”, pasi pas asaj liste, fshihet paqja me informalitetin.

Sipas Tabakut me këtë nisëm qeveria shpërblen ata që nuk kanë paguar taksat.

“Qeveria nuk guxon të publikojë listën e përfituesve. Sepse pas Paqes Fiskale fshihet paqja me të fortët, me klientët, me informalitetin. Me këtë nismë, qeveria i vë një shpërblim të madh atyre që nuk kanë paguar taksat”, shkruan Tabaku.

Tabaku thekson se kjo “nismë rrezikon ekonominë, konkurencën dhe shtetin ligjor”.

Përmes nismës së Paqes Fiskale, e cila do të zbatohet na harkun kohor 2026-2029, detyrimet tatimore të mbartura për më shumë se 10 vjet do të falen, ndërsa për borxhet tatimore të akumuluara gjatë 10 viteve të fundit do të zbatohet një skemë e re ripagimi me përqindje të reduktuara.

Qëllimi i “Paqes Fiskale” është krijimi i një klime të re bashkëpunimi me biznesin, duke garantuar më pak stres, më pak kontrolle dhe më shumë qartësi, drejtësi dhe transparencë në marrëdhënien me administratën tatimore.

Kjo paketë i jep mundësi çdo biznesi dhe individi të mbyllë çështjet e së kaluarës me organet tatimore dhe të fillojë një marrëdhënie të re të bazuar në besim dhe parashikueshmëri.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›