E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Raporti ekonomik i BB-së, Record: Shqipëria, përparime të rëndësishme në zgjerimin e aksesit në arsimin e lartë

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Në Tiranë u prezantua sot raporti i vjeshtës ekonomik për Evropën dhe Azinë Qendrore (ECA) të vjeshtës 2024 “Arsim më i mirë për rritje më të fortë ekonomike” dhe Strategjia e Arsimit të Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Raporti përmban edhe një kapitull mbi rëndësinë e arsimit të lartë për një rritje më të fortë ekonomike në vendet e rajonit.

Në aktivitet morën pjesë zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj, kryeekonomisti i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, si dhe autorë të raportit.

Richard Record, përfaqësues në detyrë i Zyrës së BB në Shqipëri tha në fjalën e tij se “ky raport nënvizon rolin thelbësor të arsimit të lartë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimin e inovacionit në të gjithë rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë. Banka Botërore është e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt një të ardhmeje më të begatë përmes arsimit cilësor”.

“Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në një fazë zhvillimi, ku jo vetëm që duhet të mundësojnë importimin dhe përhapjen e teknologjive të reja, ekspertizës dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, por gjithashtu duhet të jenë në gjendje të krijojnë teknologji dhe procese të reja. Me fjalë të tjera, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kalojnë në një model rritjeje të bazuar në inovacion për të siguruar rritje më të fortë të produktivitetit, punësimit dhe pagave. Për këtë, ato kanë nevojë për një forcë pune shumë të kualifikuar dhe sisteme arsimore cilësore – veçanërisht sisteme të arsimit të lartë cilësor”, nënvizoi Record.

Pavarësisht përparimeve të fundit, tha Record, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ende prapa vendeve të BE-së në rezultatet e kapitalit njerëzor.

“Në rajon, natyra e kërkesës në tregun e punës është e tillë që arsimi bazë nuk është më i mjaftueshëm për të siguruar punësim produktiv. Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në zgjerimin e aksesit në arsimin e lartë. Ndërsa numri i studentëve që diplomohen nga institucionet e arsimit të lartë është rritur në mënyrë drastike, ekziston një disbalance mes fushave të studimit”, tha Record.

Për shembull, vijoi Record, më pak se 15 për qind e të diplomuarve janë nga programet STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë), krahasuar me norma që janë dyfish më të larta në ekonomitë e avancuara të Evropës.

“Për të siguruar që arsimi i lartë të kontribuojë në mënyrë efektive në rritjen ekonomike, duhet të përqendrohemi në përmirësimin e cilësisë dhe rëndësisë së arsimit. Në veçanti, arsimimi në degët shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë (STEM) në arsimin e lartë është jetësor për zhvillimin e një force pune të kualifikuar, nxitjen e inovacionit dhe adresimin e sfidave globale”, tha Record.

Ai shtoi se “cilësia e arsimit në Shqipëri mbetet ende nën kërkesat e tregut. Është thelbësore të harmonizohen rezultatet arsimore me nevojat e tregut të punës, duke siguruar që të diplomuarit të zotërojnë aftësitë e kërkuara nga punëdhënësit”.

Folësit dhe panelistët e pranishëm me diskutimet e tyre hodhën dritë mbi hapat specifikë që Shqipëria mund të ndërmarrë për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e arsimit të lartë për rritjen ekonomike.

1 nga 9

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›