E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Opozita do ta çojë në Kushtetuese “Amnistinë Fiskale”

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, paralajmëroi sot se opozita do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin “”Për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore”, i cili ka hyrë së fundmi në fuqi.

Tabaku e cilësoi ligjin si një akt që, sipas saj, hap rrugën për legalizimin dhe formalizimin e pasurive të krijuara nga aktiviteti informal dhe i paligjshëm.

Ajo theksoi se amnistia fiskale krijon terren për pastrimin e parave në ekonominë shqiptare, një fenomen që, siç u shpreh ajo, ka qenë i pranishëm prej vitesh në sektorë të ndryshëm si ndërtimi, lojërat e fatit dhe turizmi, çka është evidentuar edhe në raporte ndërkombëtare.

Deputetja e PD-së argumentoi se ligji nxit ekonominë informale dhe dëmton kulturën e pagesës së taksave në të ardhmen, duke krijuar pabarazi mes bizneseve që kanë respektuar rregullat dhe atyre që kanë operuar në të zezë.

Po ashtu vuri në dukje ajo, ky ligj është i padrejtë edhe ndaj bizneseve që janë mbyllur për shkak se nuk kanë pasur mundësi të përballojnë detyrimet tatimore, ndërsa tashmë u jep mundësi subjekteve që kanë shmangur taksat të legalizojnë pasurinë e tyre.

Tabaku shtoi se problematikat e ligjit janë të tilla sa, sipas saj, edhe Presidenti i Republikës ka preferuar ta kalojë atë “në heshtje”.

Ajo bëri të ditur se Partia Demokratike do të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të penguar zbatimin e këtij ligji, duke nisur nga ankimi në Gjykatën Kushtetuese dhe duke vijuar me denoncimin e tij në instancat ndërkombëtare.

“Nuk mund të lejojmë që Shqipëria të kthehet në një vend të pastrimit të parave. Ky ligj hap rrugën për pastrimin ndërkombëtar të tyre”, u shpreh Tabaku.

Projektligji “Për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore” parashikon fshirjen e plotë të borxheve që kanë vjetërsi mbi 10 vjet, ndërsa për detyrimet me vjetërsi nga 5 deri në 10 vjet u jepet mundësia bizneseve që, në varësi të gjendjes së tyre financiare, të përfitojnë faljen e pjesës së mbetur të borxhit dhe të gjobave e kamatvonesave, kundrejt pagesës së 50% ose 75% të detyrimit tatimor.

Për borxhet me vjetërsi nga 0 deri në 5 vjet, projektligji parashikon fshirjen e gjobave dhe kamatvonesave, me kusht pagesën e plotë të detyrimit tatimor brenda datës 31 dhjetor 2026.

Në të njëjtën kohë, nisma ligjore përjashton nga falja subjektet që janë në ndjekje penale, ato ndaj të cilave ka nisur hetim tatimor, si dhe bizneset për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›