E Enjte, 5 Nëntor 2026

Tabaku: Pikëpyetje nëse Gjykata Kushtetuese vendos gjithnjë në të mirën publike

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Ndonëse mazhoranca socialiste nuk e kaloi në votim propozimin për rritjen e rrogës së Gjkykatës Kushtetuese, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku pati një debat në lidhje me këtë propozim duke i kujtuar Gjykatës Kushtetuese rëndësinë e imparcialitetit ndërkohë që socialistëve i ftoi të kërkonin rritjen e rrogave për SPAK dhe GJKKO.

“Po këtu po flasim për parime dhe këtu po flasim për një sistem që funksionon. Për mua nuk tingëlloi fare mirë, kërciti që GJK për dy borde, për Bordin e Ushqimeve mori një vendim që e konsideroi antikushtetues, ndërsa bordin e karburanteve që ishin si dy pika uji, si dy pika karburanti në fakt, mori një vendim ndryshe nga i pari. Këtu ka një pikëpyetje të madhe për standardin dhe për pavarësinë e institucionit, kështu që nëse unë do kisha ndonjë paramendim atëherë do thoja ia rrisim pagat GJK se kemi një vendim javës tjetër. Por jo, ne nuk duhet ta prishim sistemin pikërisht për të ruajtur këtë pavarësi. Javës tjetër GJK ka një peshë të rëndë, ka peshën për të vërtetuar a është e drejtë, a është e aftë GJK të vlerësojë dhe të jetë kontroll për qeverinë dhe a është GJK institucioni i cili mban balancën e pushteteve? A vendos GJK në të mirën publike? A vendos GJK dhe kur qeveria shkel ligjin, shkel Kushtetutën dhë dëmton interesin publik? Sepse kjo ka ndodhur me profesionet e lira”, u shpreh deputetja Tabaku.

Ajo i bëri thirrje profesionistëve të lirë që të bashkoheshin me të në 18 qershor në seancën në GJK që do të vendosë kushtetueshmërinë e taksës së vendosur nga qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›