Tabaku: Të ndërtojmë një kuadër ligjor për të dënuar korrupsionin endemik

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku tha sot në Kuvend, duke iu referuar arrestimit të ish-deputetit Ilir Beqaj, se fati i fondeve IPA dhe fondet e BE janë njollosur në manaxhim, ndonëse administrata shqiptare për vite me radhë ka punuar për të manaxhuar në mënyrë të përkryer këto fonde.
Në fjalën e saj deputetja e PD i kujtoi mazhorancës socialiste se ajo nuk mund të jetë dot ilaçi i një sistemi të korruptuar. Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Tabaku, u shpreh se realisht korrupsioni është një problem i tre dekadave, por është kthyer realisht në një sistem malinj dhe vrasës të shpresës në këto 12 vite.
“Marrëveshja që po diskutohet sot për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE për pjesëmarrjen në programin e drejtësisë është një nga disa marrëveshje të cilat do të kalojnë në Parlament, dy prej të cilave kanë kaluar në javët e mëparshme, ndërkohë që gjashtë ose shtatë do jenë në vijim, që bëjnë fjalë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programe të ndryshme”, tha Tabaku.
“Kjo e sotmja lidhet me programin e drejtësisë, kemi kaluar një që lidhet me konkurrueshmërinë, me bizneset e vogla, do kemi në javët në vijim marrëveshje që lidhen me programet IPA, për të cilat pa asnjë hezitim opozita i ka votuar në komisionet parlamentare. Ashtu siç në fakt ka mbështetur dhe ka votuar kur në këtë Parlament ka ardhur kërkesa për heqjen e TVSH-së për projektet IPA. Nuk ka qenë ndonjëherë opozita pengesë për asnjërën prej këtyre marrëveshjeve dhe për asnjë prej këtyre projekteve.
Po në fakt unë ndihem keq, ndihem ligsht, kur shoh që këto marrëveshje që vijnë në Parlament, të cilët përdorin dhe emrin e madh “integrim” dhe shtrihet dora e mazhorancës për t’u miratuar, kur zbatohen përfundojnë si të gjitha marrëveshjet e tjera ashtu siç sot në fakt përpara drejtësisë, drejtuesi i SASPAK-ut, ai që është dhe koordinator i fondeve IPA për abuzim me fondet e BE. Sigurisht që këto marrëveshje ne duhet të falenderojmë Delegacionin e BE këtu në Tiranë, Komisionin Europian, por njëkohësisht të gjithë strukturat që e kanë mbështetur Shqipërinë që në mungesë edhe të avancimit në procesin e integrimit, ne të kemi akses në disa instrumenta në të cilat më parë nuk ka pasur Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Tabaku.
“Për një sistem për të cilin unë kam folur me kohë, kam folur këtu në Parlament me kohë. Dëgjova me interes zotin Xhafaj, që nuk është këtu, por nuk po diskutojmë këtu vetëm për anën ndëshkuese, por në emër të opozitës unë kam dorëzuar edhe ligjin, për të marrë parasysh se si mund të parandalohet këtë që sot po ndëshkohet, korrupsionin endemik, se si mundet që të marrim masa për të ndërtuar një kuadër ligjor. Por kur i bën opozita nuk janë të mira, duhet që patjetër ti bëjë mazhoranca.
Dëgjojmë që ngrihet flamuri dhe alibia e reformës në drejtësi nga mëngjesi në darkë, dëgjojmë nga mëngjesi në darkë që ngrihet fakti që sot ato janë përpara drejtësisë. Po kush i mbrojti këto nga viti 2018 deri më sot? Kush sulmoi kolegët vetëm sepse folën për korrupsionin? Unë e di se sa herë po sa herë më është thënë që ti po njollos Shqipërinë pse përmend rastin e Beqjas që koordinon fondet e BE”, tha Tabaku.
Sipas saj, “sot ka nevojë që secili prej nesh të ngrihet dhe përtej atij interesit të vogël qoftë personal, qoftë politik, qoftë partiak dhe ti vemë emrin ashtu siç ka qenë, të një sistemi korruptiv i cili është perfeksionuar, është rritur me dijeninë e plotë të të gjithëve, sepse është diskutuar këtu ditën për diell, sepse është mbrojtur këtu ditë e për diell, sepse nuk ka lindur sot, po e vërtetë ka 30 vite ndoshta që zhvillohet”.
“Unë i ngrita këto shqetësime, sepse abuzimet me fondet e BE kanë qenë një shqetësim i kahershëm, ka qenë një shqetësim kur tenderat kryheshin nga Zyra e Delegacionit të BE, monitorimi bëhej po nga Zyra dhe ne na u desh shumë kohë, mund, përpjekje që t’i decentralizonim, por gjithë kjo kala dhe kështjellë është shkatërruar brenda ditës me këto dy shembuj: me shembullin e faturave të IPARD-it, por dhe fondet IPA e menaxhuar nga SASPAK”, përfundon Tabaku.
/r.e/