E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tabaku mohon kandidimin për bashkinë e Tiranës: Kam marrë votat për të qenë në Kuvend

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Ndërsa pritet nisja e procedurës për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, Tirana përballet me zgjedhjet e reja për të cilat tashmë mazhoranca socialiste e ka emrin e kandidates, Ogerta Manastirliun.

Një gjë e tillë nuk mund të thuhet për opozitën që ende nuk ka të projektuar emra konkretë.

Deputetja më e votuar grua nga Partia Demokratike dhe opozita, Jorida Tabaku, e përfolur si kandidate potenciale, në një intervistë për mediet përjashtoi çdo ambicie për të kandiduar për bashkinë e Tiranës.

Tabaku tha se është votuar për të qenë në Parlament dhe këtë besim nuk e lë përgjysmë.

“Kam marrë votë për të qenë në Parlamentin e Shqipërisë dhe do të vazhdoj të jem në Parlamentin e Shqipërisë”, tha Tabaku.

E pyetur se kush mund të jetë një figurë politike për të kandiduar për bashkinë e Tiranës, deputetja demokrate u shpreh se ka shumë të tilla, po do të jenë strukturat e Partisë Demokratike që do ta diskutojnë.

Në Asamblenë e Partisë Socialiste, javën e kaluar kreu i qeverisë, njëherësh kryetar i PS-së, Edi Rama, propozoi emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate për të drejtuar bashkinë më të madhe në vend.

Më herët, Rama e cilësoi Tiranën në emergjencë prej 7 muajsh për shkak se kryetari i saj i zgjedhur Erion Veliaj ndodhet në paraburgim, ndaj kërkoi nga Këshilli Bashkiak i Tiranës nisjen e procedurës për shkarkimin e tij. /m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›