E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA-ja do të investojë 75 milionë dollarë në rezervat minerale të Ukrainës

KIEV, 17 shtator /ATSH-Ukrinform/-SHBA-ja premtoi sot 75 milionë dollarë për të nisur një marrëveshje të rëndësishme për të investuar në rezervat e mëdha minerale të Ukrainës.

Ukraina dhe Korporata Amerikane e Financimit për Zhvillim Ndërkombëtar do të investojnë secila nga 75 milionë dollarë në një fond të përbashkët investimi që është pjesë e marrëveshjes së Kievit me Uashingtonin për mineralet, e nënshkruar fillimisht në prill, thanë sot zyrtarët.

Kryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko e bëri të ditur lajmin në Telegram.

“Fondi i Investimeve për Rindërtim po fillon punën e tij operative – kontributi i parë është bërë”, tha ajo.

“Korporata Financiare Ndërkombëtare e Zhvillimit (DFC) e SHBA-së ka angazhuar 75 milionë dollarë në Fondin e Investimeve për Rindërtim SHBA-Ukrainë, dhe Ukraina do ta dyfishojë këtë kontribut. Kështu, ne po formojmë kapitalin fillestar të Fondit të Investimeve për Rindërtim në një total prej 150 milionë dollarësh”, tha Svyrydenko.

Svyrydenko vuri në dukje se prioritetet e para janë projektet në sektorët e energjisë, infrastrukturë dhe mineralet e rëndësishme.

Sipas saj, qeveria synon të zbatojë tre projekte deri në fund të vitit 2026.

Ajo theksoi se fondi është ndërtuar mbi parimin e barazisë.

“Ukraina merr përsipër të njëjtat detyrime financiare si pala amerikane”, tha Svyrydenko duke nënvizuar si përgjegjësinë ashtu edhe vizionin ukrainas për Fondin – si një instrument i vërtetë i rimëkëmbjes së përbashkët dhe bashkëpunimit afatgjatë.

Ajo shtoi se vendimi hap rrugën për financimin e projekteve të para në shkallë të gjerë, krijimin e industrive moderne, krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike që do të forcojnë ekonominë dhe sigurinë e Ukrainës.

Më 8 maj, Verkhovna Rada – parlamenti njëdhomësh i Ukrainës – ratifikoi marrëveshjen midis qeverive të Ukrainës dhe SHBA-së për krijimin e Fondit të Investimeve për Rindërtim SHBA-Ukrainë.

Marrëveshja u nënshkrua në Uashington më 30 prill 2025.

Fondi i Investimeve për Rindërtim SHBA-Ukrainë u lançua zyrtarisht më 23 maj 2025. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›