E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi, “Bisedë me tingujt e Mesdheut”

08/05/2009  “Ka ca kohë që Poseidoni, vëllai i Zeusit e zot i deteve, më pëshpëriste në vesh për një dëshirë të vjetër. Nëse unë pranoja, gjithçka e ekspozuar me këtë rast do të ishte nën

kujdesin e tij. Sa më shumë hedh vështrimin mbi Mesdhe, mëndja ndriçohet e shpirti etjen shuan më lehtë. Pak rëndësi ka nëse e sheh realisht, në libra, në muzikë apo imazh.” Kështu e nis fjalën e tij teksa bisedon me “Mesdheun” piktori Stefan Taçi (Stefos). Tanimë këtë bisedë me tingujt mesdhetarë ai e rrëfen në një ekspozitë personale të tijën, që çelet më 11 maj. Për Taçin Mesdheu është thellë brenda tij, madje edhe atëherë kur mundohet ta harrojë pak. Ai pohon se edhe atëherë ky vend me emrin kuptimplotë “Mesi i dheut” ngre krye.

Ai e cilëson këtë vend jo vetëm si djepin e mesdhetarëve, por edhe të mbarë civilizimit botëror. “Dikush tjetër mund të ketë mendim të kundërt, por të mos ndalemi këtu, nuk është ky qëllimi i ekspozitës. Ka qenë pasioni im

i hershëm biseda me dritën, ajrin e jehonat e së shkuarës e të së tashmes që vinë nga Mesdheu. Kohë pas kohe janë reflektuar perceptime vizuale, të cilat ose ndërtohen mbi asosacionet e fuqishme që ofron kultura e Mesdheut, ose janë rrjedhojë e meditimeve të gjata e kontaktit real me të.” Ndoshta më shumë sesa në konkretësinë e saktësinë e subjekteve, Taçi ka preferuar të mbështetet në strukturat shpirtërore me bazë tingëllimin koloristik e kompozimin

polisemik, pa harruar rrezikun nga grackat e monotonisë.

“Me Poseidonin folëm edhe për çështje të tjera. E pyeta për krizën ekonomike botërore, për makutërinë e pafund për pushtet e pasuri, për ngrohjen globale, për mundësinë e

jetës gjetkë në hapësirën kozmike, për lumturinë boshe të konsumimit, për liritë e të drejtat njerëzore gjithmonë të rrezikuara, për rolin e artit e kush janë fuqitë e tij reale. Në pritje të përgjigjes, vura re se isha vetëm, ulur diku në një kafe të Tiranës. Ishte pasdite me shi, por jo për faj të Poseidonit. Ndoshta e tërë kjo bisedë ishte një iluzion…”

Galeria e Arteve më në fund me linjën muzeale

"120 vjet art i pikturës dhe skulpturës në Shqipëri nga fundi i shek. XIX deri në fund të shek. XX". Nën këtë emërtim Galeria Kombëtare e Arteve ka zgjedhur të inaugurojë linjën e saj muzeale në aktivitetin që do të zhvillojë sonte me këtë rast.

Është hera e parë pas ndryshimit politik të vitit 1991 që Galeria Kombëtare e Arteve merr përsipër të ekspozojë një linjë historike të artit shqiptar. Kjo linjë përfshin një periudhë prej gati 120 vjetësh, duke filluar nga viti 1883, vit që mban tabloja “Motra Tone” e Kolë Idromenos dhe që shkon deri në fillim të viteve 2000. Sipas drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve Rubens Shima, kjo tregon rrugën që kanë përshkruar artet pamore në Shqipëri për të mbërritur në fillim të shekullit XXI. “E veçanta e kësaj linje ekspozuese permanente është se ajo vjen si një strukturë e re historike për artin shqiptar, që nuk bazohet më te formula e vjetër ‘Rilindje–realizëm socialist–arti pas viteve 90’, por që ngrihet mbi një koncept të ri seksionesh ndarëse të pikturës dhe skulpturës së lëvruar në vendin tone”, - komenton Shima. Kështu janë konceptuar gjashtë seksione, që përcjellin në mënyrë të strukturuar historinë e artit shqiptar. Seksioni i parë, i titulluar “Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare”, përmbledh artifaktet e para të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke ndarë më dysh periudhën e ashtuquajtur “Art i Rilindjes dhe i pavarësisë” dhe duke grupuar autorë dhe vepra që shënojnë fillimet e një pikture laike në vend.

Seksioni i dytë, i titulluar “Piktura realiste dhe shkolla e vizatimit (1930-1950)” përmbledh veprat dhe autorët e parë të shkolluar në shkollat e artit të vendeve fqinjë, por edhe evidenton një moment historik si ai i hapjes së shkollës së artit në Tiranë në vitin 1931.

Seksioni i tretë “Piktura e skulptura akademike dhe tabloja me temë historike (1950 -1986)” përpiqet të depërtojë në natyrën e një arti të kompletuar në arritje teknike, që vihet në funksion të politikës dhe pushtetit, duke prodhuar edhe tablonë historike tipike që shoqëron periudhën e realizmit socialist. “Ky seksion përpiqet të bëjë një kalim të zbutur nga piktura realiste e trashëguar prej viteve ’40, drejt pikturës së realizmit socialist, që fillon në vitet ’60, për të vazhduar deri në fund të viteve ‘80”, - komenton drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve. “Realizmi socialist - ndërtimi i modeleve të njeriut të ri (1960-1986)” është seksioni vijues, i cili përqendrohet qëllimisht në aspektin më thelbësor të këtij arti: atë të ndërtimit të “njeriut të ri” dhe të përçimit të propagandës socialiste.

Për herë të parë Galeria Kombëtare e Arteve i kushton një hapësirë të tërë të ashtuquajturës “pikturë formaliste e viteve ’70”, me seksionin e pestë të titulluar “Piktura formaliste e realizmit socialist (1969-1974)”, ku përpiqet të hedhë dritë dhe të sjellë me detaje një aspekt të rëndësishëm në kulturën tonë si ai i quajtur “liberalizëm i viteve ’70”, që reflektoi edhe zhvillimet në artin pamor.

Seksioni i fundit, “Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)”, bashkë me nëntemën “Elemente të pikturës moderniste në vitet 1960-1970”, përpiqet të dokumentojë ndryshimet në artin shqiptar, që vijnë bashkë me rënien e socializmit, për të ardhur drejt një pikture moderniste, që zhvillohet gjatë dhjetëvjeçarit 1990-2000. “Ky seksion kërkon në të njëjtën kohë edhe elementet moderniste, që depërtuan në artin tonë gjatë viteve 1960 -1970, duke krijuar për herë të parë në historinë e Galerisë Kombëtare një hapësirë kushtuar këtyre elementeve minore, por tepër të rëndësishme për nga përmbajtja, që u sfumuan krejtësisht brenda kornizës së madhe të realizmit socialist”, - vë në dukje drejtori Shima.

Tërpinët, album përmes “objektivit”

Në librin e artë të familjeve shqiptare pa dyshim renditet edhe familja e Tërpinëve, e cila në dy shekujt e fundit ka krijuar, ruajtur e trashëguar vlera të kulturës, artit e gjuhës shqipe. Për të njohur historinë e kësaj familjeje, tanimë dashamirësit kanë në duar një botim të veçantë kushtuar Tërpinëve. Rrugëtimi në këtë botim nis nga i pari i Tërpinëve, Ilia Iliopulos, një patriot i shquar, një nëpunës i Perandorisë Osmane, që bëri emër në Stamboll e më gjerë, e që bashkë me bashkëshorten e tij, Katerinën, lindën e rritën gjashtë fëmijë, që u bënë personalitete. Ndër ta më i shquari, Petro Tërpini, një flautist i bandës kombëtare “Vatra”, që la Shtetet e Bashkuara dhe së bashku me patriotët e tjerë erdhën për të luftuar për vendin e tyre në vitin 1920. Por në brezin e tretë të Tërpinëve renditet edhe një operator i shquar i filmit shqiptar, një artist, që xhiroi me km film e që fiksoi në celuloid artistët më të mëdhenj shqiptarë, xhiroi ngjarjet më të mëdha dhe krijoi art me vlera në 40 e ca vjet karrierë artistike. Me 26 filma artistikë dhe me më shumë se dyfishin e tyre filma dokumentarë, Ilia Tërpini edhe sot nuk e ndan kamerën nga dora. Në vijim të kësaj udhe të tij ecin dhe dy djemtë - Zhani dhe Klevisi.

Botimi vjen në formën e një fotoalbumi, ku nuk mungojnë as shpjegimet përkatëse.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›