Taçi njihet me akuzën para mbylljes së hetimit
Biznesmeni i naftës u njoh dje me akuzat për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze. Sot pritet të njihen dy të akuzuarit e tjerë
TIRANË- Biznesmeni i naftës, Rezart Taçi, i akuzuar nga prokuroria për rrahjen e gazetarit Mero Baze u njoh dje me akuzën përfundimtare ndaj tij, atë të "shpërdorimit të detyrës" për të cilën pritet edhe të gjykohet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, bashkë me nipin dhe shoferin e kompanisë së tij.
Mesditën djeshme, rreth orës 11:50, biznesmeni Taçi i shoqëruar nga disa badigardë dhe avokati i tij zbriti nga një autoveturë me ngjyrë të errët duke iu drejtuar hyrjes kryesore të Prokurorisë së kryeqytetit. Taçi është drejtuar për në zyrën e prokurorit Gjergji Tako dhe oficerit Sokol Muslia, ku është marrë në pyetje prej tyre, ndërsa mësohet se nuk ka preferuar të japë shpjegime të tjera për akuzën.
Më pas prokurori Tako i komunikoi zyrtarisht akuzën e "goditjes për shkak të detyrës" në bashkëpunim, ndaj gazetarit Baze dhe i ka vënë në dispozicion një kopje të akteve hetimore, për të cilat i akuzuari Taçi firmosi për njohjen me aktet. Ndërkaq, në refuzimin e tij për t'iu përgjigjur hetuesve në lidhje me akuzën, Taçi është mjaftuar me fjalët: Nuk e pranoj akuzën dhe do të shprehem për faktet dhe provat kundër kësaj akuze para Gjykatës".
Pas njohjes me aktet, prokuroria i dërgoi fletë-thirrjet edhe dy të akuzuarve të tjerë të kësaj dosjeje, Irgen Selfos, nipi i biznesmenit të naftës dhe shoferit të kompanisë së tij Bledar Lilos. Të dy këta të akuzuar pritet që sot në ora 9:30 minuta të paraqiten pranë prokurorit Tako për të dhënë shpjegime dhe njohur me aktet përfundimtare të akuzës.
Me komunikimin e akuzave, mësohet se tre të akuzuarit do të përfundojnë në Gjykatë si të pandehur ku do të gjykohen për kryerjen e veprës penale të "goditjes për shkak të detyrës" në bashkëpunim.
Ngjarja për tre të akuzuarit ka ndodhur mbrëmjen e 2 nëntorit 2009, në një lokal nate në zonën e ish-bllokut ku tre agresorët, pas një debati me gazetarin Mero Baze, e sulmojnë këtë të fundit duke e goditur me sende të forta, për të cilat ka marrë edhe mjekimet e nevojshme.
Mësohet se organi i akuzës ka siguruar një sërë provash materiale për të vërtetuar akuzën ndaj Tacit dhe "shoqëruesve" të tij, ku më të rëndësishmet cilësohen dëshmitë e katër personave të pranishëm në vendin e ngjarjes.
Tre të akuzuarit janë hetuar dhe do të gjykohen në gjendje të lirë, me masat e sigurisë "detyrim për paraqitje", ku vetëm biznesmeni Taçi është liruar kundrejt një garancie pasurore prej 50 mijë eurosh.