E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, hidhet nga kati i pestë studentja 21-vjeçare



Një studente 21-vjeçare është hedhur nga kati i pestë i një pallati, duke mbetur e plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi pas mesnatës së të hënës në qytetin e Durrësit dhe e dëmtuara është e reja me inicialet E.R., nga qyteti i Bulqizës. Si pasojë e përplasjes, 21-vjeçarja ka pësuar dëmtime të mëdha dhe është dërguar për në spitalin e Tiranës për një mjekim më të specializuar. Ndërkohë që policia e cila shkoi në vendngjarje ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e këtij veprimi. Po punohet për të zbardhur rrethanat, të cilat çuan të renë që të kryejë këtë veprim vetëvrasës. Grupi hetimor ka marrë në pyetje tre shoqet me të cilat jetonte 21-vjeçarja, studente në Universitetin e Durrësit, për të zbardhur të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje. Sipas burimeve nga policia, tre shoqet e saj deklaruan se kohët e fundit e reja ishte në një gjendje depresive, për shkak të problemeve personale që po kalonte.

Ngjarja

Pas mesnatës së ditës së hënë, policia e qytetit të Durrësit është njoftuar për një ngjarje të rëndë të ndodhur në qytet. Një vajzë kishte rënë nga kati i pestë i një pallati, duke pësuar dëmtime serioze në trup. Menjëherë u ngrit një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve nga policia, e dëmtuara është një 21-vjeçare me origjinë nga Bulqiza, e cila është studente në vitin e tretë në qytetin bregdetar në degën e Menaxhimit të Turizimit. Ajo banonte së bashku me tre shoqet e saj në katin e pestë të një pallati 8-katësh, në lagjen numër 1 të Durrësit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, e reja është hedhur nga dritarja e banjës së banesës. Për pasojë, sipas burimeve policore, dëmtimet e marra kanë qenë tepër të rënda, por sërish vajza ka arritur të mbijetojë. Ajo është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit bregdetar për të marrë ndihmën e parë, ndërkohë që më pas është nisur për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për një mjekim më të specializuar. Sipas burimeve nga spitali, 21-vjeçarja është në gjendje kome, pasi ajo ka pësuar dëmtime të mëdha si pasojë e lartësisë nga është rrëzuar dhe aktualisht vazhdon të jetë në gjendje kome.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›