Kryeministri i vendit: Rama, udhëheqës pa brekë
Kreu i ekzekutivit përdor sërish lëvizjen e 8 Dhjetorit për propagandë politike. Sulmon ashpër kreun e opozitës
Berisha: "Ky zotëri nuk ka asnjë interes opozitar, ka thjesht vetëm një kauzë mafioze"
TIRANË - Nuk vonoi as 24 orë dhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, e përdori sërish lëvizjen e 8 Dhjetorit, për interesa krejtësisht personale, ku në një dalje para kamerave, duke iu drejtuar gjithë shqiptareve e konsideroi pjesëmarrjen në sheshin "Skënderbej" si mbështetje për qeverinë, që ai drejton.
Kreu i ekzekutivit e shfrytëzoi pjesëmarrjen e sforcuar të administratës publike, dy ditë më parë në shesh, për propagandë politike, ku fjalorit të tij nuk i mungoi as lumi i akuzave lëshuar kreut të opozitës, Edi Rama. Duke i atribuuar kryetarit të opozitës, deklarata të pathëna nga ky i fundit, Berisha ka shkuar tej, duke përdor një fjalor jo etik për një kryeministër të vendit.
"Unë jam i vetëdijshëm se në sheshin "Skënderbej" nuk ishin të paktë, madje të shumtë, që ndjeheshin të lënduar, ndjeheshin të irrituar me të drejtë, sepse sot pas 19 vitesh një njeri, një udhëheqës i Partisë Socialiste, por do të më falni, se do të shprehem, një udhëheqës pa brekë, sepse siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, nuk ekziston një politikan që vazhdon karrierën politike pas një akti apo një gjesti të tillë, ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuaj.
Pse kjo? Absolutisht fund e krye, vetëm për interesa mafioze të pastra. Votën tuaj e kanë bekuar, e kanë legjitimuar 20 mijë anëtarë të Partisë Socialiste, të gjitha institucionet ndërkombëtare, të gjithat qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende të lira të botës.
Por votën tuaj nuk mund ta njohë një njeri, i cili është i vetmi që unë di sot, për 9 vite me radhë, qe i mohoi kafshatën fëmijës së tij",- tha Berisha. Duke kundërshtuar edhe njëherë hapjen e kutive, kryeministri i vendit u shpreh se lideri i opozitës nuk ka asnjë interes opozitar.
"Ky zotëri nuk ka asnjë interes opozitar, nuk ka asnjë interes demokratik, ka thjesht vetëm një kauzë mafioze, kauzë, e cila qëndron në përvetësimin e qindra mijëra, në mos miliona metra katror, troje publike në Tiranë, me klanet mafioze që e drejtojnë dhe i drejton; kauzë e cila konsiston në mbylljen e rrugëve dhe ndërtimin mbi rrugët e kryeqytetit; kauzë, e cila konsiston në shndërrimin në bashkëpronar në tokat dhe trojet publike, sikur të ishin trashëgimi e të atit dhe jo pronë e qytetarëve shqiptarë; kauzë, e cila konsiston në shpifjet dhe trillime të ulëta, të përditshme, ndaj cilitdo, në mënyrë që të krijojë përshtypjen se këtu në Shqipëri janë të gjithë të përlyer si ai", - tha ai. Përkundrejt akuzave, Kryeministri Berisha premtoi për një Shqipëri evropiane.
"Unë dua të zotohem sot prapë para jush, se ky pinjoll i Bllokut, nuk do të mund të luajë kurrë me vullnetin tuaj, se përpjekja e tij për të luajtur me votën tuaj dhe vullnetin tuaj, do të marrë përgjigjen më serioze ligjore dhe se çfarë do që të bëjë ky bos i aleancës punisto-mafioze, s'do të mundet kurrë të bllokojë çmontim çdo ditë të klaneve mafioze, që ai udhëheq, nxjerrjen nga kthetrat e tyre të pasurive publike që kanë përvetësuar, vendosjen e tyre para ligjit.
Dhe në këtë betejë, edhe një herë e theksoj, në mënyrë absolute, nuk do të ketë asnjë nuancë politike. Ata, të cilët, vënë në dyshim karakterin jopolitik të kësaj beteje, i ftoj të paraqesin qoftë edhe dokumentin më të vogël ndaj cilitdo dhe të provojë nëse Sali Berisha do të qëndrojë njëlloj apo jo", tha ai.