E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic, me leje në Kosovë?

Ndonëse nuk ka përmendur ndonjë datë të saktë të vizitës dhe as arsyet e saj, presidenti serb Boris Tadic, ka shprehur dëshirën për të vizituar Kosovën, duke thënë se pret përgjigje pozitive nga institucionet ndërkombëtare në Kosovë, ndërkaq zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për Kosovapress se lejimi ose jo i vizitës së Tadicit do të varet nga natyra e kërkesës së tij për të vizituar Kosovën, derisa zyrtarët nga Zyra e ICO/EUSR kanë thënë se për dhënien eventuale të “vizës” një gjë e tillë u takon autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Pas vizitës së vitit të kaluar me rastin e Pashkëve Ortodokse, pasi mori lejen e autoriteteve të shtetit të Kosovës, presidenti Tadic, i cili ka deklaruar se kurrë nuk do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës, serish ka shprehur dëshirën ta vizitojë Kosovën, ndonëse nuk ka përmendur datën dhe as arsyen e vizitës.

Ai ka deklaruar se pret përgjigje pozitive nga institucionet ndërkombëtare për të vizituar Kosovën.

“Serbia e respekton Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës dhe Rezolutën 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara. Kjo siguron që presidenti i Serbisë ta vizitojë Kosovën, e jo vetëm ata që janë ftuar nga presidenti i të ashtuquajturit shtet të Kosovës”, ka thënë Tadic, për të shtuar se ai ka të drejtë të vizitojë Kosovën.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se procedurat për vizitën e zyrtarëve serbë në Kosovë janë të qarta dhe se ata duhet të bëjnë kërkesë për vizita dhe pas shqyrtimit të kërkesës, Qeveria do të vendosë nëse do të lejojë vizitat.

“Nëse ka bërë kërkesë presidenti Tadic përmes Bashkimit Evropian, kjo kërkesë sillet në qeveri,e cila më pas vendos të lejohet kjo vizitë apo nuk do të lejohet, duke u bazuar në ligjshmërinë dhe kërkesat se çfarë qëllimi ka vizita. Po ta marrim një kërkesë, ne e shqyrtojmë dhe në bazë të vendimeve ne i japim një përgjigje”, tha Krasniqi, për të shtuar se Tadic në Kosovë duhet t’iu nënshtrohet ligjeve dhe vendimeve të shtetit të Kosovës.

Duke përkujtuar se herën e kaluar Tadic ishte lejuar që të vizitojë Kosovën me rastin e Pashkëve ortodokse, Krasniqi ka thënë se miratimi ose jo i kërkesës për vizitë do të merret në bazë të natyrës së kërkesës.

“Ne e kemi lejuar njëherë presidentin Tadic të vijë në Kosovë për agjendë fetare. Tash të shohim çka është kërkesa, mirëpo nuk dua të paragjykoj. Do ta vlerësojmë kërkesën dhe të marrim një vendim në bazë të kërkesës”, theksoi Krasniqi.

Julia Rueter, zëdhënëse e EUSR-së, ka thënë për Kosovapress se në rast se kërkesa e presidentit serb do t’i dërgohet Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, Piter Feith, atëherë ajo do të bartet tek autoritetet kosovare, të cilat do të vendosin për miratimin ose jo të kërkesës.

“Absolutisht, është në dorën e autoriteteve të Kosovës që të vendosin në lidhje me këtë çështje pasi ato janë përgjegjëse dhe nuk na takon neve, pasi ne kemi vetëm rol ndihmues në Kosovë”, ka thënë Rueter.

“Ne jemi në dijeni për synimet e presidentit që të vizitojë Kosovën dhe kemi marrë një njoftim për këtë. Ne jemi në konsultime të ngushta me Qeverinë dhe me aktorët e tjerë relevantë. BE do të vazhdojë që të vazhdojë mundësitë e tjera për kontakte ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për të kontribuuar vendosjes së marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore në linjë me perspektivën evropiane të rajonit”, ka shtuar Reuter.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›